Aktualitet Ilaçi efektiv ndaj virusit, MSH: E kemi, do e ofrojmë sipas protokolleve

Ilaçi efektiv ndaj virusit, MSH: E kemi, do e ofrojmë sipas protokolleve

Në Itali ka nisur  përdorimi i ilaçit Tocilizumab, si terapi për kurimin e pacientëve me koronavirus, të cilët ndodhen të shtruar në repartet e terapisë intensive dhe janë në gjendje kritike.

Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi sot se ky ilaç do të përdoret në bazë të protokolleve që shërbimi infektiv do të ofrojë

“Medikamenti që përdoret karshi artritit, përdoret për artritin dhe është Tocilizumab. Ne e kemi në Shqipëri. Kriteret e përdorimit të këtij medikamenti janë të përcaktuara nga shërbimi infektiv dhe në bazë të protokolleve që shërbimi infektiv do të ofrojë, do t’u ofrohet e gjithë sasia e nevojshme për ata persona që do u duhet të përdorin këtë medikament.”

Në Itali, ilaçi po shpërndahet falas nga kompania farmaceutike që e tregton dhe ka dhënë rezultate inkurajuese në mbi 50% të pacientëve që sapo kanë nisur kurën.

Pas autorizimit nga Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë për kurimin e 250 pacientëve me koronavirus, terapia me Tocilizumab prej disa orësh ka nisur të përdoret në disa struktura spitalore në rajone të ndryshme italiane.