Gjykata e Tiranës ka caktuar datën 21 shkurt, ora 10:30 për seancën e shqyrtimit të padisë për zgjidhje martese të ish-presidentit, Ilir Meta nga deputetja Monika Kryemadhi.
Padia për divorc është depozituar nga Meta në gjykatë në qershor 2024.
Meta dhe Kryemadhi vendosën të divorcohen pas më shumë se 25 viteve martesë. Lajmin e konfirmoi vetë ish-Presidenti (tanimë në qeli) në Qershor të vitit të shkuar.
Në mbledhjen e kryesisë së Partisë së Lirisë, ai shpjegoi dhe arsyet që e çuan në dyert e gjykatës për zgjidhjen e martesës.
“Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI, për djegien e mandateve që u morën dhe sakrifica dhe gjak në një betejë të hapur me koalicionin e madh anti-LSI dhe anti-Meta të 17 Majit, të Prindit 1 dhe Prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që unë mbroj, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund”.
Meta mohoi që shkak i ndarjes mes tyre të jetë një grua tjetër, por thotë se vendimin e mori për t’i shërbyer një kauze që tejkalon interesin personal.
Ndërkohë, pas arrestimit të Metës, deputetja Kryemadhi ndau ndjesitë e saj edhe u shpreh se ata nuk kanë pasur asnjë komunikim në 7 muajt e fundit.
“Të jem e sinqertë çdo gjë e kam menduar, por divorcin nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mund të kisha krim pasioni me Ilir Metën, por divorcin nuk e kam menduar kurrë. Unë e kam dashur dhe e dua Ilir Metën, s’ka rëndësi se çfarë bën Ilir Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që më ka bërë kjo që jam. Për të qenë vetvetja, më ka lënë gjithmonë të lirë, e drejtpërdrejtë… Edhe impulsive, edhe pse me kosto. Por kur një gjë mbaron, mbaron! Nuk e mban dot me zor!”
Prej kohësh çifti Meta-Kryemadhi nuk jetonin në një strehë të përbashkët, pavarësisht daljeve të përbashkëta publike.