Aktualitet Importuesi i salsiçeve “Wudy”: Produktet e dëmshme u hoqën nga tregu

Importuesi i salsiçeve “Wudy”: Produktet e dëmshme u hoqën nga tregu

Importuesi i salsiçeve “Wudy” në Shqipëri akuzoi sot Autoritetin Kombëtar të Ushqimit se po përhap panik të panevojshëm. Pronari i kompanisë që sjell produktin italian, demonstroi se nuk ka më asnjë rrezik për shëndetin, duke ngrënë vetë një salsiçe.

“Unë garantoj me përgjegjësinë time personale, që çdo gjë nga ai stabiliment është e bllokuar dhe çdo gjë që sot shpërndahet në treg, ose ne kemi në dispozicion, është produkt nga stabiliment i garantuar”, tha Sokol Meqemeja, importues i Wudy në Shqipëri. “Kjo është edhe me analizë në Itali, edhe me analizë kur vjen në territorin shqiptar”.

“AKU do të thosha ka informata të papërgjegjshme që nga momenti që thotë shkarkoni çdo lloj rafti. Ka ardhur një informacion, kompania e ka deklaruar vetë, dhe ka dhënë një sërë numrash. Këto numra janë të bllokuara dhe bashkë me inspektorët e AKU-së kemi bërë çdo lloj verifikimi”, shtoi Meqemeja.

Një ditë më parë, AKU publikoi një listë me numrat serialë dhe data skadencash të salsiçeve që nuk duhen konsumuar, ndërsa u bëri thirrje njerëzve që të vizitojnë mjekun nëse i kanë konsumuar ato.