Aktualitet Ina Muka i kundërpërgjigjet publikisht Veliajt: Njeriun nuk e bën as dora...

Ina Muka i kundërpërgjigjet publikisht Veliajt: Njeriun nuk e bën as dora dhe as gishti

Ina Muka, efektivja e repartit “Shqiponja” e cila u dëmtua gjatë protestës së dhunshme të banorëve të Astirit, është rikthyer në Tiranë pas një periudhe dy javore në Turqi, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale për rifitimin e gishtave të humbur. E ftuar në emisionin “Real Story”, 24-vjeçarja ka folur më gjatë se çfarë ndodhi atë ditë përpara Kuvendit të Shqipërisë.

“Në këtë studio më ka sjellë e vërteta sepse kam dëgjuar aludime nëpër media që është false, nuk është e vërtetë. Unë jam rritur me frymën e të vërtetës jo të pavërtetës, vijmë nga një shtresë e mesme, nuk jemi as nga bota e medias as nga televizioni. Unë isha në krye të detyrës dhe kam dëmtuar katër gishta, gishtin e madh e kam të humbur, por është bërë implant me ndërhyrje” – u shpreh më tej efektivja e policisë. E pyetur në qoftë se e kishte falur personin që i hodhi lëndën plasëse, ajo u shpreh “ai nuk kishte me mua asgjë personale. Ne nuk njihemi, e kam falur, nuk mbaj inat. Shpresoj ta ketë falur Zoti”.

Efektivja Muka reagoi gjithashtu pas deklaratës seksiste të kryetarit të Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj ku shprehej se asnjë burrë nuk do të martohej me një vajzë pa gishta.

Njeriun në fakt nuk e bën as dora dhe as gishti, njeriu duhet të jetë i kompletuar dhe rëndësi ka shpirti, përmbajtja e tij, jo fiziku”, u shpreh Muka.