Bota Inaugurimi i Biden, 12 ushtarë të Gardës pezullohen nga detyra

Inaugurimi i Biden, 12 ushtarë të Gardës pezullohen nga detyra

Ndërkohë që 25 mijë ushtarë të Gardës Kombëtare amerikane rrethojnë institucionet e kryeqytetit Uashington për ceremoninë e betimit të sotëm të presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, 12 prej tyre janë pezulluar nga detyra.

Sipas gjeneralit Daniel Hokason, kreut të Gardës,  vendimi është marrë pas një procesi “Vettingu” të cilit i janë nënshtruar ushtarakët, në tentativën për të eliminuar çdo element që mund të përfaqësonte një rrezik ose shprehte pozicione të përafërta me protestuesit pro-Trump që në 6 janar arritën të hyjnë në Kapitol.

Sipas Kohason, i intervistuar nga CNN, pohoi se për 2 nga ushtarët e pezulluar, ishin identifikuar mesazhe dhe komente të cilësuara si të papërshtatshme, ndërkohë që ndaj dhjetë të tjerët u identifikuan veprime të përgjithshme të diskutueshme, por jo detyrimisht të lidhura me deklarata ekstremiste.

Edhe pse Pentagoni nuk ka shpallur një rrezik “të brendshëm” për sa i përket zhvillimit të ceremonisë, gjenerali pohoi se vendimi iu mor sepse “duam të jemi totalisht të sigurt, edhe me tepri kujdesi, deri sa gjithçka të qetësohet”.

Gjenerali shtoi se një proces i tillë do të kryhet në ditët në vijim për të gjithë efektivët e ushtrisë amerikane, “për të eliminuar çdo element ekstremist, dhe siguruar që rreziqe të tilla të mos ekzistojnë në trupat tona” .