Aktualitet Inaugurimi i terminalit të ri në Rinas/Rama: Nga nesër, qytetarët nuk do...

Inaugurimi i terminalit të ri në Rinas/Rama: Nga nesër, qytetarët nuk do të kenë më një lexim manual të pasaportës

Në aeroportin “Nënë Tereza” është bërë ditën e sotme inaugurimi i terminalit të ri. I pranishëm ka qenë dhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij ka thënë se “krijimi i një numri të ri vendqëndrimesh avionësh, sot është bërë realitet”.

Edi Rama: Është një investim i mirëseardhur për shkak se aeroporti po përballej me një presion si rezultat i rritjes së pasagjerëve dhe sot ky terminal i ri, i ndërtuar në një kohë rekord, i munguar prej shumë vitesh për shkak të një marrëveshje të mëparshme me mjaft probleme dhe për shkak të një kompanie të huaj e cila nuk i qëndroi korrekt detyrimeve as për terminalin e ri, as për zgjatimin e pistës, as për krijimin e një numri të ri vendqëndrimesh avionësh që sot është bërë realitet.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka dhënë lajmin se “sot është vënë në punë dhe sistemi i ri teknologjik i sistemit të ri të leximit të pasaportave në hyrje”.

Edi Rama: Sot është vënë në punë dhe sistemi i ri teknologjik i sistemit të ri të leximit të pasaportave në hyrje. Nga nesër, të gjithë qytetarët shqiptarë me pasaportën shqiptare nuk do të kenë më një lexim manual të pasaportës me punonjësin e policisë që i shikon në sy dhe pastaj sheh pasaportën, por do të kalojnë në barrierën dixhitale, një proces që zgjat më shumë se gjysëm minuti, gjë që do të lehtësojë fluksin. E njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët që kanë pasaportë të SHBA, Britanisë së Madhe, BE dhe Kanadasë, për të tjerët do të ketë lexim manual të pasaportës.

Kryeministri Rama ka shtuar se në aeroportin “Nënë Tereza” është shtuar numri i policëve.

Edi Rama: Sot, ne jemi shumë më tepër të sigurtë në mënyrën si operohet, ashtu sikundër falë dhe një plani shumë pozitiv por edhe gatishmërisë së operatorit, është shtuar dhe numri i punonjësve të policisë këtu.