Politika Inceneratorët dhe çështja Becchetti, Basha: Rama nuk do t’i pengojë dot

Inceneratorët dhe çështja Becchetti, Basha: Rama nuk do t’i pengojë dot

Komisionet hetimore për inceneratorët dhe Becchettin mund të vonohen, por nuk do të pengohen dot. Kështu u shpreh kreu demokrat Lulzim Basha në një konferencë për mediat, ku theksoi se Rama përdori shtetin në një luftë personale me Bechetin që kushton 120 milionë euro.

“Për komisionin Becheti, Edi Rama u tregua i prerë, duke na thënë se duhet ta harrojmë ngritjen e tij, sepse sipas Edi Ramës vendimi është i “mbuluar nga konfidencialiteti” dhe publikimi i tij dëmton interesat e Shqipërisë. Gënjeshtër qesharake. Vendimi është publik. Rama përdori shtetin në një luftë personale që kushton 120 milionë euro”.

Basha e akuzoi Ramën se kërkon t’i çojë paratë tek inceneratorët, referuar deklaratës së  djeshme të kryeministrit me kryetarët e bashkive.

“E nëse për mafien e inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë, në përpjekje për ta kthyer atë që duhet të jetë një komision hetimor, në një pseudo-grup pune për mjedisin, ndërkohë Rama shantazhoi jo më larg se dje krerët e bashkive për t’i çuar mbetjet te inceneratorët me pronarë offshore, për të furnizuar me paratë e qytetarëve llogaritë bankare në parajsat fiskale”.

Sa i takon komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Basha tha se pavarësisht përpjekjeve për sabotim ai do të vazhdojë punën për të penguar përsëritjen e gërshetimit të partisë, shtetit, krimit dhe oligarkisë.

“Komisioni Hetimor për masakrën zgjedhore është ngritur dhe pavarësisht përpjekjeve për ta sabotuar atë, vijon dhe ne do ta çojmë deri në fund zbardhjen e asaj që ndodhi me votën e shqiptarëve, me qëllim krijimin e të gjitha kushteve të domosdoshme për të penguar përsëritjen lidhjes të shtetit, krimit dhe oligarkisë si një nyje në fytin e demokracisë shqiptare. Mbetet një prioritet absolut i yni dhe do të vazhdojë. Nuk do të lejojmë ta ndalim punën e këtij komisioni, që është i domosdoshëm për të penguar përsëritjen e gërshetimit të partisë, shtetit, krimit dhe oligarkisë si një nyje në fytin e shqiptarëve”.