Sport Incidentet në ndeshjen ndaj Polonisë, FIFA paralajmëron ndëshkim të ashpër

Incidentet në ndeshjen ndaj Polonisë, FIFA paralajmëron ndëshkim të ashpër

FIFA ka dënuar ashpër hedhjen e sendeve në fushën e lojës në ndeshjen Shqipëri-Poloni, incident që ndodhi menjëherë pas shënimit të golit nga ana e miqve.

Organizmi drejtues i futbollit botëror shprehet se materialet janë tashmë në verifikim dhe nuk do të ketë tolerancë për episodin e ndodhur.

“FIFA aktualisht po analizon raportet e dërguara mbrëmjen e djeshme mbi sfidat eliminatore të Botërorit, në mënyrë që të marrë vendimet më të përshtatshme. FIFA dënon me forcë incidentet në sfidat Angli-Hungari dhe Shqipëri-Poloni dhe do të donte të deklaronte se ky qëndrim është i vendosur në refuzimin e çdo forme të dhunës, si dhe çdo lloj diskriminimi ose abuzimi. FIFA ka një qëndrim shumë të qartë, zero tolerancë ndaj sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll”, lexohet në komunikatën e FIFA-s.

FIFA përfshiu edhe Hungarinë, pasi tifozët e saj u përleshën masivisht me policinë në stadium, në sfidën kundër Anglisë.

Federata rrezikon të gjobitet me 200 mijë franga zvicerane, afro 185 mijë euro, teksa përfaqësuesja mund të detyrohet të luajë dy deri në katër ndeshje pa tifozë.