Ekonomi Industria e diamanteve regjistron humbje qindra miliona dollarëshe gjatë pandemisë

Industria e diamanteve regjistron humbje qindra miliona dollarëshe gjatë pandemisë

Ekonomia izraelite po i rikthehet normalitetit me heqjen hap pas hapi të kufizimeve, por dhoma dikur e zhurmshme e shkëmbimit të diamanteve në Tel Aviv mbetet e mbyllur, dhe distrikti i diamanteve është bosh.

Përpara se koronavirusi të mbërrinte në Izrael, kjo dhomë ishte plot aktivitet dhe qindra njerëz nga mbarë bota mblidheshin para tavolinave të pajisur me drita dhe peshore për të kontrolluar imtësisht çdo gur.

Distancimi social dhe kufizimet e kanë bërë thuajse të pamundur vijimin e biznesit, dhe fabrikat e lustrimit, që zakonisht janë plot e përplot me punëtorë, nuk po rihapen. Bashkë me kërkesën në rënie në nivel global, industria e diamanteve po has vështirësi.

Krahasuar me një vit më parë, tregtia e diamanteve në Izrael ra me 90%, shkëmbime që në muajt mars e prill do të kishin një vlerë prej 1.5 miliardë dollarësh.

Por vështirësitë e kësaj industrie shtrihen përtej Izraelit. Koronavirusi ka ndërprerë edhe aktivitetin e minatorëve dhe shitësve me pakicë dhe këta të fundit janë detyruar të ulin nivelin e prodhimit. Diamantet përbënin 9% të mallrave të eksportit në 2019, por për shkak të krizës së pandemisë, sektori ka humbur rreth 300 milionë dollarë fitime.

Sipas studimeve, prodhimi global për 2020 parashikohet të bjerë në nivele edhe më të ulëta se ato të regjistruara gjatë krizës së vitit 2009.