Aktualitet Infektoi 13 të tjerë se refuzoi të izolohej, Pipero flet për infermieren...

Infektoi 13 të tjerë se refuzoi të izolohej, Pipero flet për infermieren me koronavirus

Mjeku Pëllumb Pipero duke folur rreth rasteve të shtuara me Covid-19 gjatë dy ditëve të fundit, në emisionin “Open” përmendi edhe rastin e një infermiereje që ka infektuar 13 persona të tjerë në një spital në Tiranë.

Sipas Piperos e infektuara në fjalë nuk dihet se ku e ka marrë Covid-19. Pipero thekson se infermierja e ka refuzuar izolimin pavarësisht se i është këshilluar, para se të dilte përgjigja e tamponit.

“I është rekomanduar të izolohet, por nuk e ka zbatuar këshillën. Ka qenë papërgjegjshmëri e një individi. Nuk e dimë ku e ka marrë infeksionin. Ka shfaqur shenja të Covid-it. Ndërkohë po hetohet rasti se ku mund ta ketë marrë. Personeli mjekësor nuk duhet të humbas vigjilencën”, tha mjeku Pipero.

Mjeku u shpreh më tej se hapja e vendit është në momentin e duhur, pasi kurba e infektimeve tregon se gjendja është nën kontroll.

“Jam shumë krenar që isha pjesë e këtij ekipi. Sot gjendja është nën kontroll. Hapja për të cilën foli kryeministri po bëhet në momentin e duhur. Gjendja e COVID-19 deri tani është nën kontroll dhe nuk kemi pasur probleme të mëdha”, u shpreh ndër të tjera Pipero.