Aktualitet Infermieri shqiptar i memeve ka një emër. Admir Qehaja: Kjo është puna...

Infermieri shqiptar i memeve ka një emër. Admir Qehaja: Kjo është puna ime

Admir Qehaja, është infermier në Nikaj-Mërtur. Deri vonë njihej vetëm në zonën ku ai shërben prej vitesh i palodhur, ndërsa prej pak ditësh një foto e tij e shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në shenjë falënderimi, e bëri të njohur në të gjithë vendin.

“Infermieri Admir Qehaja i ka ardhur në ndihmë sot nënë Lenës, të moshuarës afro të 90-ave, e cila jeton e vetme në fshatin Tetaj, në Lekbibaj të Tropojës”, shkroi ministrja krahas këtyre fotove.

Nisur nga ky postim i ministres, ai befas u bë pjesë e të gjitha rrjeteve sociale dhe mediave online.

Dritare.net, kontaktoi me infermierin Qehaja, për të mësuar më shumë rreth punës së tij dhe fotos që bëri xhiron e portaleve.

Ai tregoi se po shkonte për në qendrën shëndetësore, së bashku me kolegun e tij, i cili ishte personi që shkrepi këtë foto.

Puna e mjekëve në këto ditë lufte, është më e vështirë se në çdo kohë tjetër. Por sfidat për ata që janë në terren, janë akoma më të mëdha.

Ai shprehet se terreni, largësia e banesave, moti i keq i muajve të fundit dhe pandemia, janë vështirësitë me të cilat ai përballet çdo ditë. Qehaja tregon se i shërben çdo banori në shtëpi, që nuk mundet të shkojë në qendrën shëndetësore Lekbibaj.

“Nënë Lena”, e bëri të njohur, por në fakt ai u vjen në ndihmë kaq shumë të moshuarve që nuk munden të shkojnë deri tek ai.

Kur e pyesim nëse u befasua kur pa foton e tij në rrjetet sociale, ai thotë që jo, ama nuk ka të njëjtën përgjigje kur e pyesim nëse është mërzitur nga komentet, që në fakt nuk ishin të gjitha pozitive.

“Unë i respektoj të gjithë. Jam i kënaqur kur i shërbej çdo kujt. Kjo është puna ime. Shumë nga komentuesit nuk e njohin punën tonë. Nuk i dinë vështirësitë që përballemi dhe nuk e njohin zanatin tonë”, shprehet Qehaja, për Dritare.net.

Çdo ditë është në shërbim dhe prej vitesh është i përkushtuar ndaj këtij profesioni, që është njëkohësisht pasioni i tij më i madh.

“Prindërit e mi kanë shërbyer mbi 40 vjet, babi si mësues dhe nëna si infermiere dhe më kanë edukuar të shërbej dhe të ndihmoj pa përtese”, tregon infermieri Qehaja.