Bota Infermierja e fotografisë simbol: Mezi pres të rikthehem në punë

Infermierja e fotografisë simbol: Mezi pres të rikthehem në punë

Elena Pagliarini është infermierja italiane, fotografia e të cilës, u bë simbol i punës së palodhur të ekipeve mjekësore në betejën ndaj koronavirusit COVID-19.

Ajo është pjesë e pavionit të urgjencës në spitalin e Cremone në Itali. 43-vjeçarja u fotografua nga një kolege e saj teksa e kishte zënë gjumi mbi tastierën e kompjuterit në tavolinën e punës. Fotografia u realizua 1 orë përpara ndërrimit të turneve pas një pune 12-orëshe.

Pas kësaj fotografie, më 10 Mars Elena bëri testin dhe rezultoi e infektuar nga koronavirusi. Në datë 13 Mars, u vetëizolua dhe qëndroi e karantinuar. Së fundmi ajo ka folur për mediat italiane dhe tregon se është shëruar.

Testi i parë e nxorri negative, por është duke pritur përgjigjen e testit të dytë. Elena thotë se mezi pret që të rikthehet në vendin e punës nëse del negativ edhe testi i dytë.

“Mezi pres që të rikthehem tek kolegët e mi dhe në punën time, një profesion që e dashuroj. Çdo ditë është një rrezik, por kjo është puna që unë dua. Nuk do t’i harroj kurrë pamjet që pashë në atë kohë. Kam humbur miq”, shprehet Elena.