Bota Infermierja heroinë/ Shpëtoi 3 të porsalindur në spitalin e shkatërruar nga shpërthimi...

Infermierja heroinë/ Shpëtoi 3 të porsalindur në spitalin e shkatërruar nga shpërthimi në Bejrut

Një infermiere arriti të shpëtojë tri foshnje nga një spital që po shkatërrohej në Bejrut, pas shpërthimit katastrofik që ndodhi të martën.

Infermierja është kapur në foto nga reporteri Bilal Jawich.

Ai tha se ishte në shtëpi në periferi të Bejrutit në momentin kur ndodhi shpërthimi.

“Unë ndoqa tymin derisa arrita në portin e Bejrutit. Intuita profesionale më çoi në spitalin Al Roum. Zona është lënë e shkatërruar nga shpërthimi. Ajo që pashë unë ishte e jashtëzakonshme. U çudita kur pashë infermieren duke mbajtur në krahë tre të porsalindur. Vura re qetësinë e infermieres, që ishte në kontrast të plotë me atmosferën përreth. Disa njerëz të vdekur dhe të plagosur shtriheshin pranë saj. Sidoqoftë, ajo zotëronte një forcë të fshehur për vetëkontroll dhe aftësinë për të shpëtuar ata fëmijë. Kjo infermiere është një heroinë për mua”, tha ai për “CNN”.

Jo të gjithë ishin me aq fat sa tri foshnjet. Menaxheri i spitalit, George Saad tha se rreth 12 pacientë, dy vizitorë dhe katër infermierë kanë vdekur nga shkatërrimi që ju bë spitalit prej shpërthimit.

Dy të tjerë janë në gjendje kritike. Rreth 80% e spitalit është e dëmtuar, bashkë me 50% të pajisjeve mjekësore.