Kryesore Influenca ruse dhe kineze, Moses-Ones: Disa gjëra në Shqipëri nuk shiten

Influenca ruse dhe kineze, Moses-Ones: Disa gjëra në Shqipëri nuk shiten

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin qëndrimet e Shqipërisë kundër influencave ruse, kineze apo iraniane qw interesuar për të influencuar në Ballkanin Perëndimor..

E ngarkuara me punë e SHBA, Leyla Moses Ones është shprehur se Ballkani Perëndimor është parë gjithmonë nga Rusia, Kina dhe Irani si një burim shfrytëzimi.

Por Moses Ones theksoi se Shqipëria ka zgjedhur që të distancohet duke i bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje, duke refuzuar makinacionet ruse si edhe duke mos toleruar terroristë iranianë në tokën e saj.

Nga konferenca për politikat amerikane mbi Ballkanin Perëndimor, e ngarkuara me punë e SHBA, Leyla Moses-Ones tha se Shqipëria i ka refuzuar këto makinacione dhe nuk ka rënë pre’ e tyre: “Për Rusinë dhe Kinën, Ballkani është mjet që të shfrytëzohet dhe të flaket tej. Kina ka vënë në zbatim diplomacinë shtrënguese të debitorit. Kremlini këmbëngul që të mos eksportojë asgjë tjetër përveç kaosit. Irani ka shfrytëzuar praninë e tij diplomatike në Tiranë për të planifikuar shkatërrimin e kundërshtarëve të tij politikë. Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse dhe kineze dhe ka treguar se nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Në Shqipëri disa gjëra thjesht nuk janë për shitje”.

Duke folur për mbledhjen e Këshillit Europian dhe shtyrjen e hapjes së negociatave, Moses Ones, tha se, “vendimi i 18 tetorit të KE për zgjerimin është komentuar gjatë. Shqipëria është një vend kandidat, kjo nuk ka ndryshuar. Puna që duhet të bëhet nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë një vend në radhët e BE-së duke dyfishuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por reforma zgjedhore është bërë projekt kombëtar. Drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës së përbashkët”.

Sa i takon angazhimit të Shqipërisë në NATO, Moses-Ones u shpreh se, “Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj, kontribuon më shumë trupa për frymë se pothuaj të gjitha vendet e tjera europiane. Shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre për mbrojtjen e përbashkët”.