Sport Insigne zgjedh paratë, vendos të largohet nga Napoli dhe Serie A

Insigne zgjedh paratë, vendos të largohet nga Napoli dhe Serie A

Lorenzo Insigne qartëson të ardhmen. Sulmuesi italian ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me Napolin, pasi ka arritur marrëveshjen me klubin kanadez të Torontos, ku do të transferohet si futbollist i lirë këtë verë.

Negociatat mes palëve kishin nisur prej ditësh, megjithatë mediat italiane bëjnë me dije se tashëm është arritur marrëveshja, me Insignen që do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me një pagë stratosferike prej 11.5 milionë eurosh në sezon, plus 4.5 milionë të tjera në formë bonusesh mbi paraqitjet e tij.

Sulmuesi që u shpall kampion Europe me Italinë, negocioi gjatë edhe me Napolin, por nuk arriti marrëveshje rinovimi, pasi De Laurentiis nuk shkoi dot përtej ofertës prej 3.5 milionë eurosh në sezon, shifër kjo e konsideruar e ulët nga Insigne, që me Toronton ka nënshkruar ndoshta kontratën e tij të fundit si profesionist.

Për futbollistin shfaqën interes edhe klube të tjera italiane, megjithatë asnjëra prej tyre nuk arriti të ofrojë dot as gjysmën e asaj që është gati të paguajë Toronto, ndaj sulmuesi tani po përgatitet për t’i dhënë lamtumirën Serisë A.

Ky është një lajm i keq edhe për trajnerin Roberto Mancini, që tashmë vështirë se do ta grumbullojë sërish në kombëtare, sidomos pas verës së ardhshme, duke qenë se niveli i futbollit në Kanada është ndjeshëm më i ulët se ai në Itali.