Aktualitet Inskenoi vrasjen e tij në Shqipëri, Davide Pecorelli: Po kërkoja thesarin e...

Inskenoi vrasjen e tij në Shqipëri, Davide Pecorelli: Po kërkoja thesarin e Montekristos

Davide Pecorelli, italiani që “u zhduk” për 9 muaj me radhë, dhe sajoi historinë e vrasjes së tij në afërsi të Pukës, ka nisur të japë shpjegime për autoritetet italiane.

45-vjeçari që shkaktoi ankth për familjarët e tij, por madje dhe hetime të thelluara në të dyja vendet, tregon se ishte në kërkim të thesarit në ishullin e Montekristos.

Prokuroria e Perugias, e cila po merret me këtë çështje të ngatërruar, që le pas dhe shumë hije dyshimi, e ka thërritur biznesmenin nga Umbria të japë detaje për ngjarjet që kanë ndodhur në këto 9 muaj.

Kur ai u gjet në det në bordin e një gomone, Pecorelli kishte me vete një hartë, një kazmë dhe një lopatë ndoshta për të kërkuar thesarin e pretenduar. Ai madje kishte marrë me qira një garazh ku do të duhej të mbante sendet e çmuara.

Në hartë tregoheshin disa pika të ishullit Montekristo, por përpjekja për ta arritur atë dështoi për shkak të një dëmtimi të gomones.

Përmbajtja e dëshmisë tani do t’i dërgohet zyrës së prokurorisë në Grosseto dhe gjithashtu do të kontaktohen autoritetet shqiptare pasi për të ka nisur një procedim penal.

45-vjeçari italian në fakt u zhduk në Pukë, ku kishte shkuar në një udhëtim pune. Makina që ai kishte marrë me qira u gjet e djegur së bashku me disa sende personale dhe disa fragmente kockash që ende nuk dihet se kujt i përkasin, por që mendohet se mund të jenë marrë nga një varrezë pranë.

Pecorelli pastaj udhëtoi drejt Toskanës në bordin e një autobusi më pelegrinë pasi kishte kaluar një periudhë në një komunitet afër Medjugorjes. Mbi këtë histori, po zhvillohen hetime dhe rreth vështirësive financiare apo borxheve që mund të ketë biznesmeni.