Bota Inteligjenca amerikane: Nuk kemi prova se janë alienë, por nuk i shpjegojmë...

Inteligjenca amerikane: Nuk kemi prova se janë alienë, por nuk i shpjegojmë dot “fenomenet e çuditshme”

Inteligjenca amerikane nuk ka gjetur prova që “fenomenet e çuditshme me mjete ajrore” që janë parë nga pilotët e marinës në vitet e fundit janë anije hapësinore të alienëve, por nuk është në gjendje të shpjegojë lëvizjet e pazakonta që kanë çorientuar shkencëtarët dhe ushtarakët.

Lajmi u raportua në New York Times duke cituar disa zyrtarë të lartë të administratës Biden. Megjithatë u përjashtua se pjesa më e madhe e 120 incidenteve të raportuara në 20 vitet e fundit të ketë të bëjë me teknologji sekrete në zhvillim e sipër.

Sqarimi erdhi pas shikimit të rezultateve të një raporti të deklasifikuar të destinuar për Kongresin. Gazeta amerikane raporton se pamjet mund të përfshijnë programe që qeveria dëshiron t’i mbajë të fshehta.

Zyrtarë të lartë të informuar të inteligjencës pranuan se e njëjta “paqartësi e rezultateve” do të thotë në praktikë që qeveria nuk mund të përjashtojë përfundimisht teoritë që fenomenet e vëzhguara nga pilotët ushtarakë mund t’i referohen një anije kozmike aliene.

Kurioziteti shumëvjeçar i amerikanëve për UFO-t është intensifikuar në javët e fundit në pritje të publikimit të raportit të qeverisë. Ish-Presidenti Barack Obama zgjoi më tej interesin kur u pyet muajin e kaluar në lidhje me incidentet në “The Late Late Show with James Corden” në CBS.

“Ajo që është e vërteta, dhe unë po tregohem serioz këtu, – tha Obama,  – është se ka pamje dhe regjistrime të objekteve në qiell që ne nuk e dimë saktësisht se çfarë janë.”

Raporti pranon se shumë nga fenomenet e vëzhguara mbeten të vështira për t’u shpjeguar, përfshirë shpejtësinë që objektet fitojnë krejt papritur, si dhe aftësinë për të ndryshuar drejtimin.