Bota Inteligjenca amerikane raporton raste të reja të “sindromës së Havanës”

Inteligjenca amerikane raporton raste të reja të “sindromës së Havanës”

Ato që në SHBA prej disa vitesh janë cilësuar sulme misterioze ndaj diplomatëve amerikanë në Amerikën Latine, duket se janë në rritje. Drejtuesit demokratë dhe republikanë të Komitetit të Inteligjencës në Senat raportuan të premten incidente të tjera të ngjashme, për të cilat thanë se po kryhen hetime.

Në një deklaratë, senatorët Mark Warner, kryetari demokrat i komitetit dhe Marco Rubio, nënkryetari i tij republikan, thanë se prej rreth pesë vitesh kanë qenë në dijeni të sulmeve misterioze ndaj personelit të qeverisë amerikane në Havana, Kubë dhe gjetkë në botë.

“Ky model i sulmit ndaj bashkëqytetarëve tanë, që i shërbejnë qeverisë sonë duket se po rritet. Komiteti i Inteligjencës i Senatit synon t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje”, thanë ata.

Sipas CNN, dy incidente të mundshme që i ngjajnë asaj që është cilësuar si “sindroma e Havanës” janë nën hetim.

Sipas CNN, njëri prej tyre ishte jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, ndërsa një tjetër, për të cilin i referohet revistës GQ, është një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në një periferi të Virxhinias, në 2019.

Sipas një raporti të qeverisë amerikane që i përket dhjetorit të vitit të kaluar, një frekuencë “e drejtuar” mund të jetë shpjegimi më i besueshëm për simptomat. Në shkurt, Departamenti i Shtetit bëri të ditur se po hetohet në lidhje me këtë çështje.

Në lidhje me këto incidente, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se departamente të ndryshme të administratës së Presidentit Joe Biden po punojnë për këtë çështje.