Sport Inter nis arratinë drejt titullit: Mposht Parmën dhe shkon +6 nga Milan

Inter nis arratinë drejt titullit: Mposht Parmën dhe shkon +6 nga Milan

Inter përfiton maksimalisht nga ndalesa e Milanit dhe nis arratinë në krye të Serisë A, pasi mposhti Parmën me rezultatin 1-2 falë një dopiete të Alexis Sanchez dhe u ngjit në kuotën e 59 pikëve, 6 më tepër se kushërinjtë kuqezi.

Ndonëse pritej një Inter dominues, pjesa e parë nisi mjaft mirë për Parmën, që i shkoi shumë pranë golit të avantazhit me Kurtiç, por gjuajtja e tij me kokë u grushtua në mënyrë të shkëlqyer nga Handanoviç. Skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm për të besuarit e Contes, që pas disa aksionesh zhbllokuan rezultatin me anë të Alexis Sanchez.

Vetëm 8 minuta më vonë ishte sërish sulmuesi kilen që shënoi edhe golin e dytë për Interin, sërish i shërbyer nga Romelu Lukaku.

Trajneri D’Aversa freskon skuadrën me tre zëvendësime dhe në minutën e 71-të Parma ia del të rihapë ndeshjen, teksa pas një aksioni pa shumë pretendime, Hernani u harrua në shtyllën e dytë dhe gjuajti, duke mposhtur Handanoviç.

Ky gol i bëri minutat e mbetura mjaft emocionuese, me emilianët që provuan me të gjitha mënyrat të shmangin humbjen, por nuk ia dolën, ndërsa në krahun tjetër Lukaku e Luataro shpërdoruan disa mundësi për të mbyllur ndeshjen.

Vërshëllima finale e arbitrit Pasqua la në fuqi suksesin 1-2 të zikaltërve, që regjistruan kështu fitoren e 6 radhazi në kampionat dhe nisën shkëputjen në krye të renditjes, pasi e shohin veten +6 pikë nga Milani i vendit të dytë.