Sport Inter-PSG, pritet një merkato e nxehtë gjatë verës

Inter-PSG, pritet një merkato e nxehtë gjatë verës

Merkato e verës premton të jetë e nxehtë në aksion Paris-Milano. Interi dhe PSG pritet të bëjnë ndryshime të shumta në merkaton e kësaj vere, ku priten largime dhe afrime të shumta. Të dyja ekipet po planifikojnë që të bëjnë edhe disa shkëmbime me njëra tjetrën.

Pas lajmit të bujshëm që u publikua të martën nga mediet italiane se Mauro Ikardi mund të transferohet drejt PSG, sot është përhapur një tjetër lajm. Sërish në qendër të diskutimit që Mauro Ikardi, por këtë herë çështja e tij përfshin edhe disa futbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për një shkëmbim kokë më kokë mes dy klubeve për dy qendërsulmuesit kryesorë. Ikardi do të vishej me fanellën pariziene, ndërsa Edinson Kavani do të rikthehej në Itali me fanellën e Interit. Formulës së shkëmbimit do i bashkëngjiteshin edhe 10 apo 15 milionë euro në drejtim të Interit.

Ka një vullnet dhe mundësi reale për këtë shkëmbim, pasi në parim të katërta palët e përfshira do të ishin të përfituara. Ikardi do të gjente një ekip të ri, ku do të merrte rrogën që dëshiron dhe do të ishte i lumtur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Edinson Kavani, që në Paris këtë sezon ka marrë një rol më periferik, pas shkëlqimit të Mbape dhe Nejmar. Interi do të shuante një problem në dhomat e zhveshjes, por edhe do gjente direkt zëvendësuesin në majën e sulmit mëse denjësisht. Edhe për PSG kalimi i Ikardi në Paris do të kishte përfitimet e veta, pasi bëhet fjalë për një qendërsulmuesit më të mirë në botë për momentin, që me Mbape dhe Nejmar do të ishte një trio e frikshme për cilindo ekip kundërshtar.

Por mes këtyre përfitimeve, ka edhe disa pengesa që do duhet të kalohen që ky transferim të kryhet. Interi duhet së pari t’i sigurojë Kavanit një rrogë mbi 8 milionë euro në sezon, pasi 10 milionë, aq sa merr te PSG dukshëm nuk do mundet t’ia plotësojë. PSG nga ana tjetër duhet të mendohet mirë për të marrë Ikardin, pasi i ka disa “mistrecë” në dhomat e zhveshjes dhe një si Ikradi sigurisht që do të ishte një rrezik i shtuar për përplasje në dhomat e zhveshjes.