Sport Interi bëhet gati për planin “C”, tani tentohet Ante Rebiç

Interi bëhet gati për planin “C”, tani tentohet Ante Rebiç

Me Romelu Lukakun drejt Torinos dhe Edinson Kavanin që nuk dëshiron të largohet nga Parisi, Interi është i detyruar që të shpalosë planin “B”, më saktë planin “C”, duke qenë se “A”-ja ishte Lukaku, ndërsa “B”-ja Kavani kanë dështuar. Tani, “grepat” e administratorit Xhuzepe Marota do të drejtohen nga Bundesliga, konkretisht në Frankfurt, ku aktivizohet Ante Rebiç.

Kroati që do të festojë 26 vjeç në shtator, nuk është hera e parë që afrohet me milanezët, por nuk është sulmuesi i tipit që garanton 20 apo më shumë golat në sezon, që premtonin figura si Lukaku apo Kavani. Gjithsesi, të detyruar nga situatat, në Milano do të nisin sondazhet, vlerësimet dhe bisedimet, ndërsa në Frankfurt janë gati që ta largojnë, por për ta bërë këtë nevojiten 40 milionë euro.

Kjo shifër, edhe pse mund të duket disi e lartë, është e justifikuar edhe nga fakti i një klauzole në kontratën e shitjes që solli Rebiçin në Bundesligë, nga skuadra e Fiorentinës. Vjollcët, edhe pse e transferuan në Frankfurt, kanë ruajtur të drejtën e 50 për qind të vlerës së një shitjeje të mëtejshme. Prandaj, nëse kroati kalon tek Interi, gjermanët do të arkëtonin vetëm 20 milionë euro, ndërsa 20 të tjera do të shkonin në arkat e Fiorentinës.

Gjithsesi, për Ante Rebiçin do të pritet edhe përgjigjja finale e Antonio Kontes, i cili më shumë sesa kroatin do të kënaqej me Edin Xhekon e Romës, si alternativë ndaj goditjeve të munguara, të paktën për momentin, të Romelu Lukakut apo Edinson Kavanit, por, pse jo, edhe Paulo Dibalës.