Interi tregoi shenja maturie në javën e 24-t të Serisë A. Zikaltrit fituan 3-0 ndaj Genoas në “San Siro”, duke u shkëputur +10 nga Juventusi.
Një sukses i pritshëm ky i skuadrës së Contes, që tashmë është e fokusuar tërësisht në garën për titull, pasi nuk ka impenjime në Europë apo në Kupën e Italisë.
Ndeshja nisi në mënyrën më të shkëlqyer për Interin, pasi pa u mbushur një minutë lojë Lukaku gjeti golin, për t’i dhënë qetësinë skuadrës së tij. Gjithsesi, për minuta të tëra, me gjithë dominimin e Interit, rezultati mbeti ai i minutës së parë, për të ardhur më pas te minuta e 69-të, me Darmian që shënoi golin e sigurisë.
10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt shënoi edhe Alexis Sanchez, për të cilin ishte finalizimi i parë në Serinë A në këtë sezon. Në fakt, fillimisht anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje të Lukakut, por sistemi VAR korrigjoi gabimin, duke e quajtur të rregullt golin. Përfundimisht 3-0 në “San Siro”, me Interin që koleksionon suksesin e pestë radhazi në Serinë A, që i jep një bonus plus në garën për titull.
Fitore shumë e rëndësishme e Udineses ndaj Fiorentinës në Friuli për garën e mbijetesës. Goli i Nestorovskit në pjesën e dytë i mjaftoi vendësve për të mposhtur skuadrën vjollcë në një ndeshje përgjithësisht të ekuilibruar, por që u zgjidh nga ky episod.
Cagliari e mbylli me 10 lojtarë transfertën e Crotones (Likogiannis karton i kuq 75’), por e fitoi me rezultatin 0-2 më gola të Pavolettit dhe Joao Pedros me 11-m.
Atalanta vazhdon serinë e fitoreve, teksa këtë herë mposhti në transfertë Sampdorian me shifrat 2-0. Një pjesë e parë e dominuar totalisht nga bergamaskët të cilët përpjekjet e tyre mundën t’i konkretizonin vetëm në minutën e 40-të, me Malinovskin që ia doli t’i jepte epërsinë të tijve. Pjesa e dytë ishte disi me ekuilibruar por, sërish diferencën arriti ta bënte skuadra e Gasperinit, teksa në të 70-ën Gosens dyfishoi shifrat duke vulosur kështu dhe fatet e kesaj sfide. Për Atalantën ky ishte suksesi i tretë radhazi në kampionat.