Sport Interi pranon kërkesën e Icardit për t’u stërvitur me grupin

Interi pranon kërkesën e Icardit për t’u stërvitur me grupin

Interi është kthyer nga Azia, ku zhvilloi 3 ndeshje në kuadër të International Champions Cup, ndërsa Antonio Conte u ka dhënë futbollistëve të tij pushim deri ditën e martë, për të rinisur më pas përgatitjet të mërkurën paradite.

Në seancat e radhës, pjesë e grupit do të jetë edhe ish kapiteni Mauro Icardi, i cili u la jashtë turneut aziatik dhe gjatë kësaj kohe ka punuar i vetëm në qendrën stërvitore të klubit zikaltër, në Milano.

Icardi u kërkoi drejtuesve që të stërvitet me grupin, në pritje për të mësuar të ardhmen e tij, ndërsa ka marrë përgjigje pozitive dhe do të punojë nën urdhrat e Antonio Contes, por nuk do të përfshihet në ndeshjet miqësore të planifikuara.

Kjo pasi zikaltrit nuk kanë ndërmend të ndryshojnë qëndrim ndaj Icardit dhe duan ta shesin sa më shpejt, por deri atëherë duan të respektojnë edhe detyrimet ndaj sulmuesit, që ndiqet me interes nga Napoli e Juventus në Serinë A.