Kryesore Intervista/ Basha: Jemi gati të shkojmë që nesër në zgjedhje të parakohshme

Intervista/ Basha: Jemi gati të shkojmë që nesër në zgjedhje të parakohshme

Lideri i opozitës Lulzim Basha në një intervistë për Vizion Plus ka deklaruar se pas dështimit me negociatat vendi duhet te shkojë në zgjedhje të parakohshme njësoj si ne Maqedonia e Veriut.

Basha ka theksuar se opozita është gati të shkoje në zgjedhje që nesër, mjafton që të garantohet liria e votës.

Pjesë nga intervista:

Olta Blaceri : Zoti Basha, më 18 tetor Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pse mendoni është faji i qeverisë, përgjegjësia e qeverisë? Pse kërkoni ju zbatimin e skenarit maqedonas për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme?

Lulzim Basha: E para, nuk e them unë e thotë vetë Bashkimi Europian që, në rastin e Shqipërisë, nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet, po kështu, këto vende, i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë.

Olta Blaceri: Pse na duhen zgjedhje të parakohshme në fakt, si në Maqedoni? Pse është zgjidhja kjo?

Lulzim Basha: Në fakt Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit

Olta Blaceri: Jeni gati ju të shkoni në zgjedhje të parakohshme? Kushtetuta e parashikon për 45 ditë. Apo duhet të plotësojmë kushte të tjera?

Lulzim Basha: Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës

Olta Blaceri: Si?

Lulzim Basha: Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash.

Olta Blaceri: Ka një debat të bërë tashmë prej 9 muajsh, me Edi Ramën kryeministër, pa Edi Ramën kryeministër?

Lulzim Basha: Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 Qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo!

Olta Blaceri: Ju përfaqësoni interesat e qytetarëve që besojnë tek opozita, z. Rama përfaqëson ka mbështetjen e socialistëve. A jeni gati ju të uleni me Kryetarin e Partisë Socialiste në një tryezë dialogu për t’i çelur rrugën zgjidhjes së krizës?

Lulzim Basha: Nuk kemi përjashtuar asnjëherë dialogun. Por dy gjëra të ndryshme është propaganda, pra, ulja për t’u ulur, siç ndodhi në 2017-ën, ku u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesa tona politike. U nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua.