Kryesore Investigimi: Si u kthye Shqipëria në Kolumbi për Europën

Investigimi: Si u kthye Shqipëria në Kolumbi për Europën

“Kolumbia e Evropës”: Si u kthye Shqipëria e vogël në qendër të trafikut të drogës për kontinentin”.

Me këtë titull, prestigjiozja angleze “The Independent” ka publikuar një investigim të kryer lidhur me trafikun e drogës në vendin tonë.

Gazetari, Borzou Daragahi, shkruan se gjithçka nisi kur qeveria vendosi të luftojë plantacionet e kanabisit në Lazarat. Kjo bëri që trafikantët të zgjerojnë fushën duke trafikuar jo vetëm kanabis, por edhe drogëra të forta si kokainë dhe heroinë.

“Grupet e trafikantëve shqiptarë vlerësohen si të parët në botë për trafik kokaine, heroine dhe kanabis. Vetëm tregtia e kanabisit në një vit gjeneron 4 miliardë euro, sa gjysma e PBB të Shqipërisë“, shkruan gazetari.

Një zyrtar i lartë i rojes bregdetare tha për gazetarët duke ruajtur anonimatin se vitet më të këqija ishin 2015-2016.

“Ishte si në Kolumbi”, thotë ai.

Sipas “The Independent”, në kohën kur zyrtarët shqiptarë raportojnë se kapen 10 për qind të sasisë që trafikohet, një diplomat perëndimor thekson se Shqipëria është kthyer tashmë në një narko-shtet.

“Është Kolumbia e Europës. Është prodhues dhe shpërndarës i drogës në Europë. Është një narko-shtet. Ata do humbasin shumë para nëse heqin dorë nga trafiku për të hyrë në BE”.

Ai u referohet shifrave duke shtuar se autoritetet shqiptare nuk arrijnë të kapin më shumë se 5 për qind të sasisë së të drogës që kalon nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera.

“Kjo u lë trafikantëve kaq pasuri sa për të blerë autoritetet e porteve nga Roterdami në Izmir,” tha ai.

Në shkrimin e publikuar media britanike thuhet mes tjerash se Shqipëria është kthyer si seli qendrore e trafikut të drogës në kontinentin e Europës.

“The Independent” shkruan se ky lloj trafikimi mendohet se ka lidhje e përkrahje edhe nga radhët e politike, ndërsa lufta për çrrënjosjen e saj duket si një aventurë jo shumë e lehtë pavarësisht kushteve dhe ofertave të për anëtarësim të Shqipërisë drejt BE-së.

Gazetari përmend edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin, ku sipas tij, emri iu publikua nga telefonatat dhe përgjimet me trafikantët.

Pasqyrim të detajuar ka gjetur edhe Klement Balili, i cili u vetëdorëzua në polici me 15 janar dhe pak ditë më parë kërkoi gjykim të shkurtuar përmes avokatit mbrojtës, Theodori Sollaku.

Në investigim nënvizohet fakti se trafiku i drogës ka të përfshirë persona, që nga ish-kryetarët e komunave e deri tek ministrat në qeveri. Ky implikim sipas medias britanike i jep “forcë” këtij aktiviteti nga njëra anë dhe nga ana tjetër siguron mbrojtjen prej arrestimeve.