Aktualitet Investimet e huaja kalojnë 1 miliardë euro, Zvicra e para

Investimet e huaja kalojnë 1 miliardë euro, Zvicra e para

Investimet e huaja direkte kanë shënuar një rekord të ri në ekonominë shqiptare vitin e kaluar, duke kapërcyer shifrën e 1.02 miliardë eurove. Kundrejt një viti më parë, fluksi i kapitalit të huaj të investuar në Shqipëri është rritur me 13%.

Prej këtyre investimeve, mbi një e treta, apo 364 milionë euro, e kanë origjinën nga Zvicra. Tashmë ky shtet është kthyer edhe në investitorin më të madh në vend, duke i rrëmbyer titullin Greqisë.

Pas Zvicrës, investimet më të mëdha në 2018-ën kanë ardhur nga Holanda, Turqia dhe Franca. Ndërsa flukset që vijnë nga partnerët dhe investitorët tradicionalë si Italia dhe Greqia janë në rënie.

Mbi 59% e investimeve me kapital të huaj janë përqendruar në fushën e energjetikës, ndjekur nga hidrokarburet në masën 21%. Pjesa tjetër shkon tek sektori financiar dhe ai i pasurive të paluajtshme, por edhe në ndërtim, ku kompanitë e huaja po përfitojnë nga lehtësitë e qeverisë për akomodimin e turizmit.