Sport Inzaghi i tërbuar me arbitrin e katërt: Mos jep shtesë! Mos tall...

Inzaghi i tërbuar me arbitrin e katërt: Mos jep shtesë! Mos tall byt*ën! (VIDEO)

Simone Inzaghi ishte i papërmbajtshëm në pankinë në fundin e ndeshjes Inter-Milan. Trajneri zikaltër, i frustruar nga humbja e rëndë e skuadrës së tij që i kushtoi mungesën në finalen e Kupës së Italisë, shpërtheu ndaj arbitrit të katërt. Një reagim i regjistruar nga kamerat, ku tekniku kërkon me tone të larta dhe me një gjuhë të ashpër që gjyqtarët të mos jepnin minuta shtesë.

Me një reagim të shpejtë dhe me gishtin e drejtuar, Inzaghi iu afrua arbitrit Aureliano me një frazë të lexueshme qartë nga buzët: “Nuk dua shtesë! Mos tallni byt*ën! Nuk e dua!”. Përballë përpjekjeve të arbitrit të katërt për të qetësuar situatën, trajneri i Inter e përsëriti me zë të lartë: “Nuk e dua!”. Me rezultatin 3-0 tashmë të pakthyeshëm dhe me brohoritjet “ole” të tifozëve kuqezi që nënvizonin debaklin, Inzaghi donte vetëm të futej shpejt në dhomat e zhveshjes.

Dhe në fakt, arbitri Doveri nuk akordoi asnjë minutë shtesë, duke fishkëllyer përfundimin e ndeshjes pak pas minutës së 90′. Një vendim që i pëlqeu teknikut Inzaghi, i cili hyri menjëherë në fushë për të përshëndetur fillimisht arbitrat dhe më pas pjesëtarët e tjerë të ndeshjes, pasi i kishte kërkuar lojtarëve të tij të përshëndesnin gjithsesi tribunën.

Por çfarë thotë rregullorja në raste të tilla?

A është i detyrueshëm shtesa në një ndeshje futbolli? Lidhur me “kohëzgjatjen e ndeshjes”, në pikën 3 lexohet:

Çdo pjesë loje duhet të zgjatet nga arbitri për të rikuperuar gjithë kohën e humbur për:

zëvendësimet

verifikimin dhe/ose largimin nga fusha të lojtarëve të dëmtuar

ndërprerjet për vonesa të qëllimshme

masat disiplinore

ndërprerjet për arsye mjekësore të lejuara nga rregullorja e kompeticionit, si për shembull pushimet për hidratim (jo më shumë se një minutë) apo pushimet për freskim (“cooling break” nga nëntëdhjetë sekonda deri në tre minuta)

kontrollet dhe rishikimet e VAR-it

festimet pas golave

çdo shkak tjetër, përfshirë çdo vonesë të konsiderueshme në rifillimin e lojës (p.sh. për shkak të një objekti të huaj në fushë)

Theksohet se në asnjë kompeticion zyrtar të organizuar nga FIGC nuk është e mundur që skuadrat të bien dakord për një kohëzgjatje të ndryshme të dy pjesëve të lojës, pasi kjo nuk është e parashikuar nga rregulloret përkatëse.

Rregulli 7 | 69

Arbitri i katërt tregon shtesën minimale të vendosur nga kryesori në fund të minutës së fundit të çdo pjese loje. Shtesa mund të rritet nga arbitri, por nuk mund të reduktohet. Ai nuk duhet të kompensojë një gabim kohor të bërë në pjesën e parë, duke shtuar ose shkurtuar kohën në pjesën e dytë.

Ekziston gjithashtu një lloj “rregulli i pashkruar”, joformal natyrisht, i lidhur me njëfarë sensi të përbashkët, që e shtyn arbitrin të mos japë shtesë nëse rezultati është tashmë i vendosur, ndoshta pas një konsultimi me trajnerët. Nuk dihet nëse në rastin e Inter-Milan, Aureliano e pyeti portugezin e Milan Conceiçao nëse ishte në rregull kështu, pasi Inzaghi ishte treguar i qartë. Duke marrë parasysh kontrollin e VAR-it për golin e dytë të Jovic, zëvendësimet dhe kartonin e verdhë, kushtet për të dhënë shtesë ekzistonin.