Sport Inzaghi: Jo frikë ndaj Realit. Na duhet ndeshje perfekte për të fituar

Inzaghi: Jo frikë ndaj Realit. Na duhet ndeshje perfekte për të fituar

Respekt për Real Madridin, jo frikë. Simone Inzaghi, në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve me Interin, ka treguar se ka ide të qarta. Zikaltrit, të mbështetur nga tifozët e tyre, duhet të përpiqen të luajnë një ndeshje ofensive dhe të kërkojnë golin. Në konferencën për shtyp, trajneri i kampionëve italianë shpërndau optimizëm.

Inzaghi, a mendoni se humbja e dyfishtë kundër Realit, vitin e kaluar, po në fazën e grupeve, mund të ndikojë te lojtarët tuaj?

Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur, përfshirë sfidën e dyfishtë të sezonit të kaluar kundër Realit. Ne kemi një mundësi të shkëlqyeshme për të shkruar një faqe të rëndësishme të së tashmes. Nuk do të jetë një grup i lehtë, por ne duam të kualifikohemi.

Interi ka ardhur tri vite radhazi që nuk kalon dot përtej fazës së grupeve. Çfarë iu thatë lojtarëve tuaj për t’i bindur se përfundimi do të jetë ndryshe këtë herë?

Përvoja në lojëra të tilla është shumë e rëndësishme. Ne e dimë që nga dita e shortit se grupi nuk është i lehtë, sepse, përveç Realit, do të jenë dy skuadra që do të bëjnë gjithçka për të na vënë në vështirësi. Ne kemi edhe dy seanca stërvitore për t’u përgatitur më mirë për një ndeshje të pabesë, kundër një ekipi me traditë të madhe, me një trajner të madh dhe lojtarë të mëdhenj.

E imagjinoni ndeshjen e nesërme si Sampdoria-Inter apo do t’i prisni kundërshtarët?

Është normale që e diela të konsiderohet një dështim, por ne luajtëm 20 minutat e fundit me një lojtar më pak. Ndeshjet vendosen në fazën finale dhe në këtë kuptim jemi penalizuar. Reali driblon mirë me Modric, por gjithashtu ka thellësi në sulm. Ne do të duhet të mbulojmë hapësirat, por gjithashtu ta mbajmë topin dhe t’i bëjmë ato të vrapojnë kur është e mundur.

Keni arritur në 16-she sezonin e kaluar, por kritikët tuaj thonë se nuk keni shumë përvojë në Ligën e Kampionëve. Çfarë përgjigje keni për ta?

Si trajner, duke pasur parasysh Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës, jam afër 50 ndeshjeve në stol, por sigurisht Ancelotti ka më shumë përvojë se unë. Ne duam të përgatitemi për ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, të luajmë me zemër, me shpresën se do të jetë një mbrëmje e mirë. Më vjen mirë që debutojmë para tifozëve tanë.

A do të jetë tashmë Inter-Real Madrid vendimtar?

Të gjitha ndeshjet në Ligën e Kampionëve janë të rëndësishme. Një ekip si Interi, i cili në 10 vitet e fundit nuk ka kaluar në raundin e dytë, duhet të përpiqet të bëjë mirë. Ne do të përpiqemi ta përmbysim këtë prirje negative dhe të bëjmë mirë menjëherë.

A do të luajë Bastoni?

Do ta vlerësoj. Djali është normal, dëshiron të jetë në fushë. Dje kreu stërvitje të butë, tani do të duhet të detyrojë më shumë.

A ishte Ancelotti një nga trajnerët që ju frymëzoi më shumë në fillim të karrierës suaj?

Ancelotti është një nga trajnerët më të suksesshëm në histori. Unë fola me të për futbollin kur shkova për të parë stërvitjen e vëllait tim dhe kur e sfidova, sepse ishte te Napoli. Kundër Realit do të duhet një ndeshje perfekte, sepse do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë. Carlo iu jep organizim perfekt formacioneve të tij.

A keni një plan specifik për ta ndaluar Vinicius, i cili është në formë të shkëlqyer?

Vinicius është në një moment të mrekullueshëm, por nëse dikush mendon për të, rrezikon të harrojë Hazard dhe Benzema. Do të jetë një nga të vëzhguarit specialë.

Çfarë ju shqetëson më shumë nga Reali? E shihni ndryshe nga viti i kaluar?

Unë jam i shqetësuar për organizimin që ka ky ekip. Ancelotti zhvillon lojë sulmuese dhe ka organizim të shkëlqyeshëm.

Nga pikëpamja mendore dhe taktike, si keni punuar për ta hequr tabunë e Europës në dhomat e zhveshjes?

Ne nuk duhet të mendojmë për të kaluarën ose sezonin e shkuar me Realin. Ne mund të shkruajmë një faqe të rëndësishme në të tashmen me Interin dhe do të duhet të përpiqemi t’i bëjmë të dyja fazat e lojës në mënyrën më të mirë.