Kryesore Inzaghi, kandidat për stolin e Kombëtares

Inzaghi, kandidat për stolin e Kombëtares

Një tjetër emër i njohur nga shkolla italiane e futbollit del në skenë për postin vakant të trajnerit të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Filipho Inzagin, ish-sulmuesin e famshëm të Milanit që aktualisht drejton skuadrën e Venezias në Serie B.

Lajmi bëhet i ditur nga Gianluca di Marzio, eksperti i Sky veçanërisht i mirëinformuar për çështjet e merkatos dhe gjithmonë e më shumë në edhe në çështjet që kanë lidhje me futbollin shqiptar.

Normalisht në FSHF nuk mund të përmendin emra e as bëjnë konfirmime duke qenë në proces seleksionimi e tratativash ndërkohë që informacionet nga Italia, aty ku janë përqendruar edhe sondazhet për trajnerin por edhe postin e drejtorit teknik nuk mungojnë.

Në website-n e tij Di Marzio informon se Federata Shqiptare e Futbollit po mendon për Pippo Inzaghin si pasuesin e mundshëm të De Biasit.

Vetë ish-sulmuesi për momentin është duke reflektuar dhe më pas do të marrë një vendim nëse është i gatshëm të lërë Serie B dhe Venezian, për të filluar një aventurë si trajner i Kombëtares Shqiptare.

Në të njëjtin artikull shtohet se për rolin e drejtorit teknik të Kombëtares i cili do të menaxhojë edhe sektorin e të rinjve janë bërë sondazhe për Giancarlo Camolese, ish-trajner i skuadrave si Torino, Pro Vercello apo Livrono që sezonin e kaluar ka drejtuar Chiasso-n, emri i të cilit është përmendur nga Sky Sport Italia edhe si trajner i mundshëm i kuqezinjve, Massimo Morgia trajner që marsin e kaluar dhe dorëheqjen nga skuadra e Aquila Calcio në Lega Pro, dhe Massimo Piscedda përgjegjës teknik i kombëtares B të Italisë.

Një tjetër emër i njohur për opinionin futbollistik në Shqipëri që është vetëkandiduar për stolin e kuqezinjve është dhe ish-interisti Walter Zenga.

Reagon FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar sot duke deklaruar e kërkon të bëjë me dije të gjithë opinionin publik dhe sportdashës se ka nisur negociatat për të vendosur më pas, në një moment oportun dhe të afërt, emërimin e trajnerit të ri të ekipit kombëtar të futbollit, pas largimit të teknikut Gianni de Biasi.

Përzgjedhja e drejtuesit të ri të skuadrës përfaqësuese të futbollit është një proces që kërkon kohën e duhur. FSHF-ja ka nisur pikërisht me procesin e kontakteve dhe bisedave në lidhje me kandidaturat e mundshme, të cilat janë në një numër i konsiderueshëm.

Ato do të vlerësohen dhe, pas kontakteve të marra, brenda muajit korrik do të vendoset emri i ri i trajnerit të ekipit kombëtar. Gjatë gjithë kësaj kohe, FSHF-ja është në fazën e vlerësimit, kontakteve dhe bisedave për kandidaturat e ndryshme, për të marrë drejtimin e skuadrës kombëtare”, thuhet në deklaratën e FSHF.