Bota “IRA e Re”: Kush është grupi paraushtarak që vrau gazetaren

“IRA e Re”: Kush është grupi paraushtarak që vrau gazetaren

Një gazetare irlandeze humbi jetën teksa po mbulonte trazirat që përfshinë qytetin Londonderry në Irlandën e Veriut. Lyra McKee mendohet se u qëllua nga një plumb qorr pasi një person i armatosur hapi zjarr mbi një turmë me policë dhe kalimtarë.

Policia thotë se po e heton vrasjen e 29-vjeçares si një incident terrorist.

Forcat e rendit thanë se pas vrasjes qëndron ajo që njihet si ‘IRA e Re’. Sipas tyre, gazetarja ishte thjesht një kalimtare e pafajshme.

Trazirat shpërthyen pas një aksioni policor për parandalimin e një sulmi militant në fundjavën e Pashkëve.

Por çfarë përfaqëson ‘IRA e Re’?

Para disa javësh, ata dërguan disa pako-bomba në Londër dhe Glasgou në aeroporte dhe universitete. ‘IRA e Re’ është një grup republikan paraushtarak, me bazë në Belfastin perëndimor, por që janë aktivë në Britani dhe Republikën e Irlandës. Qëllimi i tyre është një Irlandë e bashkuar.

Grupi i ka rrënjët tek ajo që u quajt IRA Reale, e cila u formua pasi grupi IRA deklaroi armëpushimin në vitin 1997. Në vitin 2012, IRA Reale u bashkua me disa grupimeve më të vogla militante dhe formuan atë që tani njihet si ‘IRA e Re’.

Qëllimi i tyre primar është që t’i japin fund sundimit britanik në Irlandën e Veriut përmes dhunës paraushtarake.

Grupi e refuzon Marrëveshjen e të Premtes së Mirë, që i dha fund Trazirave duke përcaktuar statusin që do ketë Irlanda e Veriut brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe marrëdhëniet me Republikën e Irlandës.

Nuk dihet sa e madhe është IRA e Re, por policia mendon se bëhet fjalë për disa qindra anëtarë.