Bota Iran, vdekjet nga COVID-19 tri herë më të larta nga ç’është raportuar

Iran, vdekjet nga COVID-19 tri herë më të larta nga ç’është raportuar

Një hetim nga “BBC Persian” në Iran ka treguar se numri i të vdekurve nga COVID-19 është tri herë më i lartë se ç’kanë raportuar autoritetet vendase.

Të dhënat që kanë mbajtur vetë autoritetet spitalore për qeverinë, sipas BBC, flasin për 42 mijë të vdekur nga simptomat e COVID-19 deri më 20 korrik. Ndërsa ministria ka raportuar vetëm 14.405.

Po ashtu, numri i të infektuarve është pothuajse dyfishi i shifrave zyrtare: 287.827 të deklaruar nga ministria, 451.024 të zbuluar nga hetimi i BBC.

Por edhe shifrat zyrtare e renditin Iranin si shtetin më të prekur në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, vendi duket se është përfshirë nga një valë e dytë, pasi shifrat janë rritur ndjeshëm në ditët e fundit.

Sipas të dhënave që ka mbledhur qeveria, pa i publikuar, rasti i parë më COVID është regjistruar më 22 janar, rreth një muaj përpara se të raportohej nga ministria.

Po nga i gjeti BBC këto të dhëna?

BBC thotë se të dhënat kanë ardhur nga një burim anonim dhe i besuar. Dokumentet kanë detajet e pranimit të personave nëpër spitale, me emër, mbiemër, moshë, datë, kohëzgjatjen e qëndrimit, llojin e simptomave dhe kushtet e tjera shëndetësore që ka pasur secili pacient.

Sipas BBC, detajet në këto dokumente përputhen si me pacientët e sëmurë, ashtu dhe me ata që nuk e fituan dot luftën kundër COVID-19.

Media britanike thotë se burimi i kontaktoi me të dhënat në mënyrë që t’i jepet fund lojërave politike dhe që të merret vesh e vërteta për pandeminë.