Aktualitet Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia lihet në “arrest shtëpie”

Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia lihet në “arrest shtëpie”

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, i arrestuar pas protestave për lirimin e ambienteve të KZAZ në Shkodër, ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.

Gjykata vendosi të lërë në burg, për 30 ditë, Afred Nikollin dhe Gentian Bytyçin, të dy efektivë të policisë bashkiake të Shkodrës, ndërsa të ndaluarit e tjerë Adi Garuci e Aleks Ndoj kanë marrë masën e sigurt “arrest shtëpie”, si dhe “detyrim paraqitjeje” për Orlando Thepin.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe mësohet se ish-deputeti ka qëndruar më shumë se 48 orë në izolim, pasi u ndalua nga policia teksa shkonte të merrte pjesë në një debat televiziv.

Në Shkodër ndodheshin të gjithë ish-deputetët e PD, për të protestuar kundër ndalimit të kolegut të tyre. Një ditë më parë, Partia Demokratike e quajti ish-deputetin Bardh Spahia të burgosur politik dhe i kërkoi Prokurorisë urdhërimin e menjëhershëm të lirimit të tij.