Opinione Ish-Jugosllavia ka rënë! Bashkë me modelet e saj institucionale

Ish-Jugosllavia ka rënë! Bashkë me modelet e saj institucionale

Thirrje publike për përkrahje për t’a çuar zërin në Kuvendin e Shqipërisë!

Ra ajo ngrehinë që ngritën kokën shqiptarët e Ballkanit. Këtë nuk e paska kuptuar vetëm ministrja e arësimit, qytetarja Besa Shahini, dhe akademia e shkencave e Shqipërisë!

Unë i qëndroj fort dhe parimisht kërkesës sime për shkarkimin e qytetares Besa Shahini nga posti i ministres të arsimit, rinisë dhe sporteve, pasi ajo deklaroi dje më 10 maj, qëllimin e fshehur se ka synim të shkrijë në një të vetme akademinë e shkencave të Shqipërisë me ato të rajonit.

Drejtuesit e shtetit tonë të bëjnë si ta mendojnë!!! Përgjegjësia është e tyre!

Çdo intelektual i ndershëm, çdo shqiptar patriot, çdo student e kupton që një deklaratë si kjo, kaq në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, me ligjet e vendit, me vlerat europiane, me detyrën e një ministri që shprehet se synon zhbërjen e identitetit të institucioneve publike të shtetit të Shqipërisë ndërkohë që ka për funksion t’i ruajë dhe forcojë ato, nuk e ka bërë asnjë ministër arsimi qysh nga koha e themelimit të shtetit shqiptar, as nën Monarki, as në kohën e pushtimit fashist dhe nazist, as në kohën e diktaturës dhe as në periudhën e tranzicionit paskomunist.

Ne jemi tradhëtuar në bindjet tona shtetformuese!

Unë jam absolutisht kundër dhe do të përballem deri në fund me këtë synim të shprehur prej saj si edhe me modelin e paraqitur nga grupi i drejtuar nga Skënder Gjinushi, të cilin e kanë paraqitur mjerisht si të tyrin edhe 15 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk besoj se kanë pasur mundësi të njihen me thelbin e çështjes.

Më jepni përkrahje!

Unë jam për një akademi shkencash të Shqipërisë që sheh dhe orientohet nga Perëndimi, kurse ministrja, qytetarja Besa Shahini, shpreh synimin se kërkon të na çojë në modelet e akademive të shkencave të ish Jugosllavisë.

Ja përballja në thelbin e saj politik dhe gjeopolitik!

Por, ish Jugosllavia është rrëzuar, duam apo nuk duam ne. U rrëzua kjo ngrehinë që të ngrenë kokën Shqiptarët në Ballkan. Përse Kuvendi i Shqipërisë dhe ministria jonë e arsimit do të mund të na e risjelli atë model institucional në Shqipëri?

Për këdo që e ka të vështirë ta kuptojë synimin e shprehur madje edhe jashtë programit të qeverisë:

Çfarë do të thotë integrim si një e tërë e akademive shqiptare në rajon?

Ose shqiptarët si akademikë të ikin nga akademia e Malit të Zi, e Maqedonisë të Veriut dhe eventualisht e Serbisë, duke krijuar akademi shkencash etnike, pra të vetëizolohen. Çka nuk ka model në asnjë vend të botës.

Ose pastaj të integrohen këto akademi etnike pastërtisht shqiptare me akademinë e shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës, çka nuk e lejojnë sigurisht shtetet e tyre. Na propozohet gjoja një shkencë e pastër shqiptare, etnikisht e pastër, çka mund të asociohet me dënglat për një shtet të pastër etnikisht shqiptar, në kundërshtim me të gjitha vlerat europiane dhe ato perëndimore!!!

Ose të integrohet në një të vetme akademitë e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të ZI, etj. Dhe ky nënkuptim i përmbajtur dashur padashur në atë synim është pastaj terr!

Në çdo rast kjo do të thotë platformë për ta zhbërë akademinë e shkencave të Shqipërisë. Kujdes tjetër është bashkëpunimi, tjetër “shkrirja në një”.

Synimi i shprehur i kësaj anëtareje të qeverisë nuk është në përputhje as me Kushtetutën e Shqipërisë as me platformën e qeverisë dhe as me strategjinë e akademisë të shkencave të themeluar nga dijetarët e mëdhenj shqiptarë të kohës, as me kuadrin rregullues europian.

Detyra ja do qe t’i forcojë institucionet e Shqipërisë jo t’i shkrijë duke i bashkuar në mënyrë absurde me institucione shtetesh të tjera.

Intelektualët shqiptarë nuk do ta lejojnë këtë!