Politika Ish-kreu i KQZ: Ja platforma për zgjidhjen e krizës politike

Ish-kreu i KQZ: Ja platforma për zgjidhjen e krizës politike

Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume, ka publikuar sot platformën që sipas tij mund të shërbente për kapërcimin e krizës politike ku ndodhet vendi.

“Deklarimet dhe qëndrimet politike të mazhorancës dhe opozitës deri sot, jo vetëm që kanë pamundësuar zgjidhjen e krizës politike por përherë e më shumë po kontribuojnë në ashpërsimin e saj. Kriza tenton të marr përmasat e një krize sociale, duke u shndërruar “në krizë të thellë të demokracisë me efekte negative afatgjata për të gjithë shoqërinë tonë.
Për të zgjidhur këtë krizë dhe, me vëmendjen dhe kujdes të shtuar, për të parandaluar rishfaqen e krizave të tilla në shoqërinë tonë, është e domosdoshme që partitë politike të mazhorancës dhe opozitës, të demonstrojnë vullnet të plotë politik për të kapërcyer barrierat që gjenerohen nga interesat politike të tyre dhe nga gara për pushtet”, thuhet në platformën e propozuar nga Kristaq Kume.

Platforma e plotë:

Kriza aktuale me të cilën po përballet vendi ynë është një krizë shumë dimensionale, me efekte politike e sociale, që mund të sjellin pasoja të mëdha negative në zhvillimet aktuale dhe afatmesme në shoqërinë shqiptare. Vlerësojmë se kjo krizë është pasojë e problemeve të mëdha që ka legjislacioni ynë të rrjedhura nga ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008, keqpërdorim i pushtetit, mungesa e vullnetit për të ndërtuar shtetin ligjor dhe mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, sjellja e partive politike dhe qeverisja jo efektive që gjithmonë e më shumë po distancohet nga interesat e popullit.
Deklarimet dhe qëndrimet politike të mazhorancës dhe opozitës deri sot, jo vetëm që kanë pamundësuar zgjidhjen e krizës politike por përherë e më shumë po kontribuojnë në ashpërsimin e saj. Kriza tenton të marr përmasat e një krize sociale, duke u shndërruar në krizë të thellë të demokracisë me efekte negative afatgjata për të gjithë shoqërinë tonë.

Për të zgjidhur këtë krizë dhe, me vëmendjen dhe kujdes të shtuar, për të parandaluar rishfaqen e krizave të tilla në shoqërinë tonë, është e domosdoshme që partitë politike të mazhorancës dhe opozitës, të demonstrojnë vullnet të plotë politik për të kapërcyer barrierat që gjenerohen nga interesat politike të tyre dhe nga gara për pushtet.
Duke e konsideruar zgjidhen e krizës dhe parandalimin e riciklimit të saj, si nevojë të domosdoshme për zhvillimi dhe për realizimin e objektivave që kemi si shtet anëtar i NATO-s dhe vend që aderon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, propozojmë si platformë për veprim:

1. Palët, mazhorancë e opozitë, të shprehen dakord dhe të pranojnë të angazhohen për realizimin e një reforme të thellë në gjithë korpusin legjislativ të vendit. Objekt i kësaj reforme duhet të jenë Kushtetuta dhe legjislacioni që rregullon çështje që janë të lidhura me sistemin qeverisës të vendit, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjen e Presidentin nga populli, institucionin e Kryeministrit, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe Kodin zgjedhor, ligjin për referendumet, ligjin për partitë politike, etj…,

2. Reforma legjislative duhet të ketë si objektiv themelor të saj krijimin e kushteve ligjore dhe institucionale për të bërë reale dhe të zbatueshme parimet e demokracisë përfaqësuese dhe demokracisë së drejtpërdrejtë si dhe zhvillimin e kapaciteteve të shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës.

3. Palët bien dakord qe reforma legjislative të kryhet si një proces gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen dhe kontributin e partive politike, organizatave nga shoqëria civile dhe trupave akademike te vendit.

4. Asistenca e institucioneve ndërkombëtare në realizimin e reformës legjislative të konsiderohet dhe kërkohet.

Për të bërë funksionale këtë platformë edhe për të realizuar objektivat e saj, është e domosdoshme që palët, mazhorancë e opozitë, të materializojnë vullnetin për bashkëpunim nëpërmjet kompromisit, objekt të të cilit mund të jenë:

Palët bien dakord:

-Të trajtojnë çështjen e kthimit në Kuvend të deputetëve të PD dhe LSI që kanë dorëzuar mandatet.
-Reforma të zhvillohet si një proces me vendimmarrje që do të mbështetet në konsensusin e palëve.
-Reforma legjislative të zhvillohet si një proces intensiv mbarëshoqëror brenda një periudhe kohe të arsyeshme, 3-4 muaj.
-Zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale dhe zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të zhvillohen vetëm pas realizimit të reformës legjislative.