Kryesore Ish-kreu i SHISH: Ivanoviçin nuk e vranë shqiptarët, këto janë dy pistat

Ish-kreu i SHISH: Ivanoviçin nuk e vranë shqiptarët, këto janë dy pistat

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi ka analizuar situatën pas vrasjes së liderit të serbëve në Kosovë ka deklaruar se atentati është bërë për të tensionuar situatën në Ballkan.

Për Klosin janë dy pistat e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

“Ata që e kanë bërë e kanë bërë me qëllim për të sjellë pasoja. Është ngjarje e rëndë, dhe delegacioni serb u tërhoq nga bisedimet, ky ishte edhe qëllimi i parë.

Në këtë fazë kemi drejtë që të bëjmë vetëm arsyetime, se kujt i leverdis? Motivi është për të acaruar situatën.

Mund të jetë faktori i brendshëm serb, atje ka elementë dhe forca që do të donin ta prishnin këtë situatë, por edhe faktorë ndërkombëtarë që nuk duan stabilitetin e Ballkanit. Ndërkombëtarët po thonë se ka një rrezik rus në Ballkan”, tha Klosi.

Por a mund të jenë përfshirë shërbimet sekrete në këtë vrasje?

“Pse do të ngatërrohen shërbimet në këto punë, ka forca të tjera plot. Janë grupe paramilitare që nuk e njohin ligjin. Shërbimet janë por kanë kaluar në informativë nuk bëjnë gjëra të tilla. Vrasja është një ngjarje e rëndë, do u hyjmë turbullirave të reja. Unë besoj se nuk e kanë vrarë shqiptarët”, tha Klosi për Report Tv