Sport Ish-lojtari i kombëtares gjermane nën akuzë për trafik pornografie me të mitur

Ish-lojtari i kombëtares gjermane nën akuzë për trafik pornografie me të mitur

Ka qenë futbollist i kombëtares gjermane të futbollit, Borussia Dortmund dhe Real Madrid. Nëpër televizione jepte opinione mbi aktualitetin e futbollit dhe karakterizohej për përulësi në mendime dhe sjellje.

Në asnjë moment nuk mund të dyshoje për Christoph Metzelder, por ngjarjet e së martës e ndryshojnë krejtësisht imazhin që ishte krijuar për ish-mbrojtësin. Sipas “Bild”, Policia e Hamburgut ka bërë kontroll në shtëpinë e tij dhe e akuzon për zotërim dhe trafikim materialesh pornografike me të mitur.

38-vjeçari ndodhej në një kurs për trajnerë futbolli kur policia e shoqëroi në shtëpinë e tij për të bërë kontrollin.

Sipas “Bild”, denoncimi ndaj Metzelderit erdhi nga një grua që mendohet se ishte e lidhur me ish-futbollistin për rreth një vit. Ajo i ka treguar policisë rreth 15 foto pornografike të miturish, që atij i kishin ardhur në Whatsapp.