Bota Ish-mbreti belg Albert II, gati për test ADN-je: A është babai i...

Ish-mbreti belg Albert II, gati për test ADN-je: A është babai i Delphine Boel?

Ish-mbreti belg Albert II, 84 vjeç, ka pranuar testimin e ADN-së pas insistimit të gjatë të Delphine Boel, e cila pretendon se ai është babai i saj.

Që prej 16 majit të kaluar, Gjykata e Apelit në Bruksel përcaktoi se ish-monarku, që abdikoi në vitin 2013 për arsye shëndetësore duke i lënë vendin djalit Philippe, duhet të paguajë një gjobë prej pesë mijë eurosh për çdo ditë që nuk pranon të japë ADN-në e tij.

Mbreti belg nuk e ka mohuar asnjëherë publikisht nëse është babai i Delphine Boel, por deri tani nuk kishte pranuar të jepte ADN-në e tij.

Gruaja reagoi e lehtësuar pas vendimit të Albert II duke theksuar se “prova përfundimtare shumë shpjet do të jetë në duart e magjistraturës”.

Delphine Boel, një artiste multimediale 51-vjeçare, thotë se është fëmija i një marrëdhënie afatgjatë që nëna e saj Sibylle de Selys Longchamps kishte gjatë viteve ’60-’70 me Albertin, i cili në atë kohë ishte princ i kurorës.