Sport Ish-presidenca kineze: Elliot, mediat dhe fuqitë e forta, ja si e humbëm...

Ish-presidenca kineze: Elliot, mediat dhe fuqitë e forta, ja si e humbëm Milanin

David Han Li dhe Yonghong Li

Një silurë edhe për Berlusconin: E ftuam të bëhej president nderi. Në fillim pranoi, por më pas, disa ditë para mbylljes së marrëveshjes, na refuzoi

“U zgjova dhe makthi ishte i vërtetë. Nuk ishte një ëndërr”. Pothuajse 18 muaj pas humbjes së pronësisë së Milanit për disa dhjetëra miliona euro, David Han Li, krahu i djathtë i ish-presidentit të kuqezinjve, Yonghong Li, zgjedh revistën amerikane “Forbes” për të folur. Aty shpjegon arsyet e falimentimit të klubit kuqezi.

Fuqia mediatike

Në shënjestër të ish-presidencës së Milanit është shtypi. “Në Nëntor 2017, menjëherë pas nënshkrimit të dokumentit për rifinancimin e borxhit, u shfaq një artikull i dëmshëm i New York Times, – thotë Han Li. – Pastaj, mëngjesin e caktuar, në të cilin filluam procesin e rifinancimit të borxhit në Londër, mediat italiane filluan të sulmojnë përsëri. Kush e kishte gjithë këtë informacion të rëndësishëm?”

Sipas ish-krahut të djathtë të Yonghong Li, personi përgjegjës është mjaft i qartë: “Nëse kujtoj saktë, në shkurt 2018, unë pyeta një nga njerëzit e Elliott, nëse ishin drejtpërdrejt përgjegjës për kryerjen e atyre sulmeve në media dhe nëse donin ta merrnin klubin. Natyrisht, ata e mohuan. Ne kishim dëgjuar të flitej për reputacionin e fondit, por nuk isha i sigurt se zërat ishin të vërtetë… deri në fund. E tëra që na duhej ishte rifinancimi i borxhit, por kjo nuk ndodhi, nuk shkoi aq mirë sa prisnim”.

Fuqi të forta

Jo vetëm fondi amerikan i investimeve (Elliot), megjithatë, sipas David Han Li, do t’iu vinte shkopinj nën rrota pronarëve të rinj kuqezinj, që mbërriti nga Kina: “Problemet nuk i shqetësonin tifozët, por njerëzit e nivelit të lartë, të rëndësishëm, ata që kishin fuqinë për të mbrojtur interesat e tyre. Ata u përpoqën të bënin gjithçka për të qëndruar larg nesh, për të na mbajtur larg”.

Sidoqoftë, asnjë koment për vendimin e qeverisë kineze për kuotën e investimeve jashtë vendit, i cili kufizoi ashpër gamën e veprimeve të ish-pronarëve të rinj të Milanit. Megjithatë, Han Li dëshiron ta heqë një “guralec nga këpucët”, duke pasur parasysh Silvio Berlusconi: “Ne e kishim ftuar atë të bëhej president nderi. Në fillim pranoi, por më pas, disa ditë para mbylljes së marrëveshjes, tha se nuk mund të pranonte ofertën tonë. Ka shumë arsye pse ne ia ofruam këtë pozicion. Historia e tij e bukur nuk mund të harrohej. Pastaj, kishte ndikimin e tij, imazhin e tij dhe marrëdhëniet e tij. Ne ishim të rinj në vend dhe shpresuam të kishim dikë, që mund të na ndihmonte”.

Keqardhje

Në vend të kësaj, sipas David Han Li, kinezët e gjetën veten vetëm dhe në një terren armiqësor: “Ne mund t’i kishim zgjedhur të gjithë zyrtarët kinezë, por nuk e bëmë atë në respekt të tifozëve kuqezinj. Nuk donim që ata të mendonin se po e vidhnim klubin. Megjithatë, kjo u përdor kundër nesh nga disa njerëz, për shkak të mirësisë dhe ndershmërisë sonë”.

Një faj të vogël, megjithatë, krahu i djathtë i Yonghong Li e pranon: “Duhej të vendosnim mesatarisht 10 milion euro në muaj, por kapitali që klubi fillimisht kishte nevojë ishte shumë më pak. Ne duhej të investonim më shumë kapital në kompani, në klub. Shuma ishte shumë më tepër sesa prisnim”.

Dhe kështu humbën gjithçka, natën e 20-21 korrikut 2018: “Unë isha aq i stresuar, sa kam akoma plagë në gishtin e madh të këmbës. Aq po e nxirrja dufin te thonjtë e mi”. Ndoshta janë të njëjtat plagë, që disa tifozë të Milanit i vuajnë ende…