Kryesore Ish-zyrtari amerikan: Rusia po përfiton nga djegia e mandateve të opozitës shqiptare

Ish-zyrtari amerikan: Rusia po përfiton nga djegia e mandateve të opozitës shqiptare

Në “Capitol Hill”, vetëm pak metra larg Kongresit amerikan, Dr. Michael Carpenter, drejtori i Qendrës “Penn Biden” vazhdon të jetë i interesuar për çfarë ndodh në Ballkan, rajon të cilin mbulonte deri dy vite më parë, kur shërbente në Pentagon si zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

“Sigurisht, kam parë të shtohen ndërhyrjet ruse në të gjithë Ballkanin, duke përdorur kryesisht tri mënyra. Rusia përdor ndikimin e korrupsionit. Me pak fjalë, paratë e dyshimta për të ndikuar politikën, për të paguar protestues për të financuar parti. Përdorin sulme kibernetike për të marrë informacion në mënyrë të paligjshme dhe për ta hedhur atë informacion në publik. Përdor dhe dezinformim në rrjetet sociale, si dhe në mediet tradicionale, aty ku munden. Por, nga të gjitha këto mjete, paratë e errëta dhe korrupsioni janë ndoshta më të suksesshmet në Ballkan. Në Ballkan, me më shumë korrupsion, më shumë militantizëm politik, Rusia ka më shumë mundësi që të ndikojë ngjarjet në terren. Qëllimi i Rusisë është të përhapë kaos. Kjo është ajo që ka bërë dhe në SHBA. Po e bën edhe në Ballkan. E pamë në Maqedoni gjatë periudhës para referendumit për marrëveshjen e Prespës. E pamë në Mal të Zi, para anëtarësimit në NATO. E pamë në Shqipëri, ndoshta në nivel pak më të ulët, por e kemi parë edhe aty, me përçarjen në Shqipëri. E kemi parë në të gjithë rajonin”, tha për Top Story Michael Carpenter, ish-zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Të shtunën e 16 marsit, demonstratat në Serbi arritën kulmin, kur protestuesit dhe liderët e opozitës në Beograd sulmuan Radio Televizionin Publik, çka solli reagimin me forcë të policisë. Pikërisht në të njëjtën ditë, protestuesit në Tiranë u përleshën me policinë përpara godinës së Parlamentit. Kjo lidhje e çuditshme ngre dyshime të forta se pas këtyre protestave qëndron një ndikim i jashtëm, ai rus.

“Rusia po përfiton nga djegia e mandateve të opozitës shqiptare”

Sipas Carpenter, është vërtetuar tashmë sesi Rusia ka financuar parti politike dhe kandidatë nëpër Europë, që nga Marie Le Pen e deri te “Jobik” në Hungari.

Ndaj nuk ka dyshime se ndikon edhe në Ballkan, duke përdorur mjete financiare për të mbështetur parti, politikanë individualë dhe ndonjëherë edhe OJQ, pasi kjo është mënyra ruse e të vepruarit.

“Kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e procesit politik, duke ushqyer përçarje bipolare të politikës, kjo është toka më pjellore, situata më e përkryer që Rusia të përfitojë e të ushqejë më shumë armiqësi, përçarje dhe kaos në shoqëritë e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Provat e shfaqura në artikullin e ‘Mother Jones’ janë serioze. Ato tregojnë lidhjen që ekziston midis aktorëve rusë dhe me interesat e PD-së në Shqipëri. Kjo është alarmante. Tregon që ekziston një lloj bashkëpunimi mes dy palëve. Tregon që Rusia mund të jetë duke i mbështetur këto interesa, që të krijojë një kundërpeshë ndaj partisë në fuqi. Në rastin e Shqipërisë, duket se Rusia po e provon fatin me Partinë Demokratike, që të arrijë të rrëzojë qeverinë e tanishme”, tha Michael Carpenter, ish-zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes.