Aktualitet ISHMT: Ashensori i pallatit në Astir s’është inspektuar, përgjegjësi nuk ka bërë...

ISHMT: Ashensori i pallatit në Astir s’është inspektuar, përgjegjësi nuk ka bërë regjistrimin

Ashensori që u shkëput në një nga pallatet e kompleksit “Fratari” në zonën e Astirit ku mbetën të plagosura 2 gra, nuk ka qenë i regjistruar dhe për pasojë nuk ishte inspektuar.

“Sipas Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar Personi Përgjegjës i produkt/instalimit nuk e ka bere regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku theksohet se ky ashensor nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar siç parashikon ligji.

ISHMT thekson se banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e këtij të fundit që të kontraktojë një organ të miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve.

Policia thotë se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate. Njëra prej të plagosurave pasi ka marrë mjekim ka lënë spitalin, kurse tjera vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.