Kosova “Ishte porosia e ambasadorit Grenell”/ Kurti pas rrëzimit të qeverisë: E ardhmja...

“Ishte porosia e ambasadorit Grenell”/ Kurti pas rrëzimit të qeverisë: E ardhmja është e jona

Albin Kurti ka reaguar pas votimit pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij nga Kuvendi i Kosovës, që ishte kërkuar nga LDK.

Në një postim në “Facebook”, Kurti shkruan se mbledhja e djeshme nuk do të mbahet mend gjatë, pasi e ardhmja i përket VV-së.

Sipas tij, rënia e qeverisë ishte e domosdoshme për ngritjen e nevojshme dhe se kuptimi i mosbesimit ishte porosia e ambasadorit Richard Grenell.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi. Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë. Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë. Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial. Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”.