Aktualitet Ishte tek kushërinjtë në Itali, zhduket shqiptari

Ishte tek kushërinjtë në Itali, zhduket shqiptari

Dorian Licaj

Itali- U largua natën e 30 Prillit nga Marina di Ragusa, ku ishte mysafir i kushërinjve të tij. Dorian Licaj, i lindur në vitin 1988, me kombësi shqiptare është zhdukur në drejtim të paditur, raportojnë mediat italiane.

I riu kishte shkuar në Itali që në Janar dhe ishte në kërkim të një pune, kur natën e 30 Prillit doli nga shtëpia më një biçikletë dhe nuk u kthye më.

Të afërmit e tij kanë bërë denoncim në polici dhe kanë treguar se ai kishte me vete dokumente shqiptare dhe një celular të cilin e ka të fikur, por pa dhënë detaje të tjera si. p,sh se çfarë kishte veshur kur u largua nga banesa.

Kushërinjtë e kanë përshkruar si një njeri që vuante nga ankthi dhe para se të largohej ai kishte lënë një letër ku kërkonte falje për vuajtjet që do u shkaktonte njerëzve të familjes dhe të afërmve lidhur me veprimin që po bënte ku nuk përjashtohet dhe vetëvrasja.

Karabinierët e Ragusës prej dy ditësh kanë nisur kërkimet e pandërprera si dhe janë angazhuar forca të tjera police. Policia gjithashtu ka publikuar dhe foton e tij ku i kërkon ndihmë qytetarëve të telefonojnë nëse e shikojnë diku.