Uncategorized Itali dhe Gjermani perfekte, Kosova e nis keq

Itali dhe Gjermani perfekte, Kosova e nis keq

Edhe ndaj Bullgarisë, po ashtu si tre ditë më parë ndaj Irlandës së Veriut, Italia ka arritur të marrë një rezultat të pastër 2-0.

Të kaltrit e drejtuar nga Mancini, nuk i lanë thuajse asnjë shans vendasve bullgarë. Belotti shënoi me penallti në fundin e pjesës së parë, ndërsa në minutën e 83-të, Locatelli realizoi edhe golin e dytë.

Po ashtu, edhe Gjermani mori tre pikët në transfertë ndaj Rumanisë, ku fitoi me vetëm një gol, të cilin e realizoi sulmuesi i Bayern, Gnabri.

Pas dy ndeshjeve të para në grupe, dy kombëtaret, superfuqi në futbollin Europian, kanë hedhur hapa të sigurt drejt kualifikimit në Botërorin e vitit të ardhshëm, i cili pritet të zhvillohet në Katar.

Kosova pa “busull”

Kosova e Bernard Challandes i nisi në mënyrën më të keqe kualifikueset e Botërorit Katar 2022. Dardanët u mposhtën nga Suedia e Zlatan Ibrahimovic në Prishtinë me rezultatin 0-3, në një sfidë ku Kosova nuk tregoi pothuajse asgjë nga repertori i saj.

Falë një gafe të Ujkanit por për meritë edhe të Ibrahimovic sërish në versionin e njeriut asist, Suedia zhbllokoi shifrat me Augustinsson në minutën e 12-të. Në të 35-ën ishte Isak që ia kaloi topin poshtë këmbëve Ujkanit për golin e 0-2, ndërkohë që fitoren e suedezëve që kryesojnë grupin me 6 pikë, e vulosi Larsson me një 11-metërsh. Ndërkohë që Bernard Berisha edhe pse hyri në fushë vetëm në minutën e 83-të mori dy kartona të verdhë, duke e mbyllur ndeshjen para kohe.