Aktualitet Itali/ Foshnja vdes në aksident, prindërit shqiptarë hetohen për vrasje

Itali/ Foshnja vdes në aksident, prindërit shqiptarë hetohen për vrasje

Duket se një pakujdesi e prindërve i ka marrë jetën vogëlushit shqiptar, vetëm 2 muajsh.

Ngjarja ka ndodhur dje në Pisa të Italisë.

Një ditë më parë mediat italiane njoftuan për vdekjen e foshnjës, i  cili ndodhej në makinë së bashku me prindërit, kur u përfshinë në një aksident së bashku me dy automjete të tjera.

Përplasja nuk ishte shumë e fortë, por fatale për foshnjën ishte hapja e airbag, që i shkaktoi dëmtime të rënda në kokë dhe në kraharor, pasi prindërit e kishin vendosur në sedijen e parë sexholinon e fëmijës.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, foshnja nuk ia doli dot.

Sipas mediave italiane, disa orë pas vdekjes së fëmijës, ndaj prindërve ka nisur një hetim. Akuza që rëndon mbi ta është ajo e vrasjes nga pakujdesia, por nuk përjashtohet që gjatë hetimeve akuza të ndryshojë.

Sipas kodit rrugor thuhet se fëmijët nga 0 deri në 15 muajsh duhet të qëndrojnë në sexholino të vendosur në sedijen e pasme dhe në krahun e kundërt me udhëtimin, (fytyra e fëmijës të shikojë në dritaren e pasme të makinës). Pasi fëmija të arrijë peshë mbi 9 kg, sexholino mund të kthehen në pozicionin normal në sedijen e dytë, por vetëm pasi të jetë çaktivizuar airbag-u.

Airbag është programuar që të jetë mbrojtës dhe jo lëndues vetëm për një trup të rritur dhe jo për fëmijë.