Bota “Italia nuk është spital”, irritohet Di Maio: Kërkojmë respekt për hapjen e...

“Italia nuk është spital”, irritohet Di Maio: Kërkojmë respekt për hapjen e kufijve

Italia kërkon respekt nga vendet e tjera europiane përsa i përket rihapjes së ardhshme të kufijve, një çështje që ka nevojë për një përgjigje europiane të koordinuar, deklaroi ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio.

“Kam dëgjuar shumë të flitet për Italinë këto ditët e fundit. Nuk është momenti për polemika, por dëshiroj të sqaroj diçka, ne kërkojmë respekt. Nëse ndonjë mendon se mund të na trajtojë si një të infektuar, atëherë dijeni që nuk do të rrimë pa reaguar”, paralajmëroi Di Maio, në një deklaratë në Facebook.

Vendi më i prekur nga koronavirusi me më shumë se 33 000 të vdekur në tre muaj, Italia, që duket se e ka marrën nën kontroll epideminë, filloi lehtësimin gradual të masave kufizuese që prej fillimit të majit dhe po përgatitet të rihapë kufijtë më 3 qershor.

Roma po kërkon një rifillim të koordinuar të udhëtimit në Europë më 15 qershor, që do të shënonte një rimëkëmbje kontinentale të turizmit, një sektor kyç për ekonominë italiane sot i gjunjëzuar.

Disa vende fqinje megjithatë refuzojnë të rihapin kufirin e tyre tokësor me Italinë në këtë datë, gjë që bën që Roma “të irritohet” pasi e sheh këtë si një mënyrë për të parandaluar që turistët të vijnë në gadishull.

“Përsa i përket çështjes së rihapjes së kufijve, ne kemi nevojë për një përgjigje europiane, sepse nëse ne veprojmë në mënyrë të ndryshme dhe çrregulluese, shpirti i BE-së humbet. Dhe Europa shembet”, theksoi ministri italian.

“Durimi ynë ka limite. Unë e kuptoj konkurrencën mes shteteve të ndryshme, është e ligjshme, me kusht që të jetë e shëndetshme dhe e drejtë”, nënvizoi ai duke vlerësuar bukurinë unike, mrekullitë dhe plazhet unike të vendit të tij.

Di Maio njoftoi gjithashtu se do të shkonte në mision në Gjermani më 5 qershor, në Slloveni më 6 qershor dhe Greqi më 9 qershor për t’u takuar me homologët e tij.

“Situata e brendshme, të gjitha të dhënat mbi përhapjen do të jenë gjithmonë publike. Ne gjithmonë kemi reaguar në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, theksoi ai