Kryesore Italia nuk harron Shqipërinë dhe vendet që e ndihmuan: Faleminderit vëllezër

Italia nuk harron Shqipërinë dhe vendet që e ndihmuan: Faleminderit vëllezër

Italia nuk harron ata që iu gjendën në ditët më të vështira në pandeminë koronavirus. Me anë të një video-mesazhi tepër emocionues, Lombardia falenderon të gjitha vendet që dërguan staf mjekësor, pajisje mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe respiratorë

Një vend të veçantë në këtë material pati dhe kontributi i Shqipërisë.

Video-mesazhi është shpërndarë nga kryetari i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, i cili dëshiron që me anë të këtij materiali, të përçojë falenderimet më të përzemërta të tij dhe të italianëve.

“Ju erdhët për ne dhe na ndihmuat të fitonim kohë, të ulim kurbën. Do të fitojmë, sigurisht që do të fitojmë. Dhe kur të keni ju nevojë, do të vijmë pa na thirrur. Faleminderit vëllezër”, thuhet në video-mesazh.

Ndërsa në fund shfaqen ngjyrat e rajonit të Lombardisë, ndërsa falenderohen të gjitha shtetet që kontribuuan në mënyra të ndryshme në përballimin e emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19.