Kryesore Italia rihap kufijtë për të shpëtuar turizmin

Italia rihap kufijtë për të shpëtuar turizmin

Italia rihap sot kufijtë për turistët europianë, një muaj pas rifillimit gradual të aktiviteteve në vend, me shpresën që me afrimin e verës të shpëtojë industrinë turistike, sektor kyç i ekonomisë së saj goditur nga pandemia.

Anijet mund të lundrojnë sërish në ujërat e Venecias, të dashuruarit mund të luajnë “Romeo dhe Xhulieta” në ballkonin e Veronës dhe që prej të hënës Koloseumi i Romës apo muzeu i Vatikanit kanë mirëpritur përsëri vizitorët.

Por, qendrat turistike, si hotelet dhe restorantet, i tremben faktit se turistët nuk do jenë këtë vit për Italinë, një prej vendeve të Europës më të prekur nga pandemia ku koronavirusi i ri ka shkaktuar mbi 35 000 të vdekur, me Lombardinë si epiqendra europiane e epidemisë.

Qeveria autorizoi sot më 3 qershor qarkullimin e lirë mes rajoneve, por me ndalimin e grumbullimeve të mëdha dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave në vendet e mbyllura dhe në transportin publik.

“Kriza nuk ka përfunduar dhe institucionet ashtu si qytetarët do të duhet ende të përballen me pasojat dhe traumat e saj (…)”, theksoi presidenti italian, Sergio Mattarella me rastin e Festës Kombëtare.

“Vuajtjet e këtyre muajve të fundit nuk duhet të na vendosin kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai duke nënvizuar se do të ishte e papranueshme dhe e pafalshme shpërndarja e kësaj fryme.

“Italia, në këtë situatë të jashtëzakonshme, ka treguar anën e saj më të mirë”, nënvizoi Mattarella duke shtuar se ndjehet krenar për vendin e tij dhe duke përshëndetur unitetin moral të italianëve përballë virusit, këtij armiku padukshëm.

Fluturimet ndërkombëtare do të rifillojnë sot vetëm në tre qytetet e mëdha si Milano, Romë dhe Napoli.