Extra Italianët: Alketa flet shpejt, por është një uragan

Italianët: Alketa flet shpejt, por është një uragan

Një uragan u cilësua prezantimi i moderatores shqiptare Alketa Vejsiu, e cila i la të gjithë pafjalë me italishten e rrjedhshme në skenën e festivalit italian “Sanremo”.

Elokuenca e Alketa Vejsiut nuk kishte si t’u shpëtonte italianëve, të cilët menjëherë nisën të komentonin në rrjete sociale.

Nisur nga postimet në Twitter dhe Instagram, shumë ndjekës bënë shaka me elokuencën e Vejsiut dhe italishten e saj perfekte. “Teksa Amadeus pushon pak, Alketa Vejsiu ka bërë që të këndojnë konkurrentët e tjerë dhe të shpallet fituesi. Në pesë minuta”, shkruan dikush. “Lëreni të drejtojë festivalin sepse me ritmin e saj e mbyllim për gjysmë ore”. lexohet në një tjetër koment.

“Flet më shpejt se Bonolis. Nuk e mendoja se ishte e mundur”, është një tjetër koment që thekson shpejtësinë e famshme për ne tashmë. “Piva pak çaj kamomili”, tha me humor Vejsiu, në daljen e dytë në skenë si për të thënë që do të fliste më ngadalë.

Megjithatë, përpos rrjedhshmërisë në të folur, të shumtë janë njerëzit që kanë vlerësuar aftësitë e saj në prezantim, që për hir të së vërtetës e ktheu Amadeus-in në asistent për pak minuta.

“Sanremo2020, a mund ta lini Alketa Vejsiun të drejtojë Sanremo 2021?”, “Miqtë tanë shqiptarë, mund të ndiheni krenarë. Ajo është e shkëlqyer. Do ta prezantonte Sanremon për mrekulli edhe vetë”, “Prezantuesja më e mirë deri tani” janë disa nga komentet që lexohen në rrjete sociale. “Alketa duhet të jetë në vend të Lorella Cuccarini-t në ‘La Vita In Diretta’,” shton dikush tjetër.