Bota Italianët votojnë për uljen drastike të Parlamentit. Toskana mbetet e majtë

Italianët votojnë për uljen drastike të Parlamentit. Toskana mbetet e majtë

Italianët kanë vendosur për uljen drastike të vendeve në Parlament, që do të kalojnë nga 630 në 400 në Dhomën e Deputetëve, dhe nga 315 në 200 në Senat.

Sipas exit-polleve por edhe rezultateve reale paraprake, rreth 70% ka votuar për ndryshimin, që ka qenë një nga betejat e hershme të Lëvizjes “5 Yje”.

Dhe në fakt lideri i parë italian që reagoi ishte ministri i Jashtëm dhe lider i Lëvizjes, Luigi Di Maio, që e cilësoi rezultatin si një arritje historike. “Kthehemi tek një Parlament normal, me 345 vend edhe privilegje më pak”, deklaroi ai.

Dakord edhe Partia Demokratike, që fillimisht nuk ishte me linjën e këtij reduktimi, por iu besua aleatit të saj në qeveri. “Me fitoren e PO-së, hapet një sezon i ri reformash”, deklaroi Nicola Zingaretti, sekretari i partisë së majtë.

Ndërkohë, edhe e djathta e Legës së Matteo Salvinit kishte mbështetur referendumin, por shton se “populli ka vendosur reduktimin, dhe do të ishte e udhës të shpërbëhej Parlamenti në mënyrë që të shohim me zgjedhje të reja eficencën e reformës së miratuar”, deklaruan drejtuesit e partisë.

Sot u votua edhe në rajone të ndryshme italiane, për presidentin e tyre. Toskana, Pulia dhe Kampania mbeten me kandidatët e koalicionit të qendrës së majtë, ndërkohë që Liguria, Veneto, Val D’Aosta dhe Marke u fituan nga partitë e djathta.

Më të rëndësishmet ishin zgjedhjet në Toskanë, të cilat drejtohen nga e majta për 50 vjet.

Eugenio Giani i Partisë Demokratike (PD) ka marrë 48,2% të votave.

Eurodeputetja Susanna Ceccardi, e cila mban sloganin e Salvinit “Së pari Italia” ka marrë 40,4%.

Sekretarja e PD për rajonin e Toskanës, Simona Bonafé, deklaroi se fitoren, ndërsa tha se “ndaluam Salvinin”.