Aktualitet Iu sekuestruan 1.5 mln euro llogari bankare, reagon ish-zyrtari

Iu sekuestruan 1.5 mln euro llogari bankare, reagon ish-zyrtari

Flet për ABC News, Ferdinand Shehu, personi të cilit iu sekuestruan nga Policia e Shtetit 1.5 milionë euro pasuri.

Ish-drejtori i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës në vitet 2006-2011, Shehu i tha gazetarit Andi Qosja se çdo veprim financiar e ka bërë nëpërmjet sistemit bankar.

“Aktualisht ndodhem me pushime në Itali. Autoritetet policore kanë pasur 8-9 vjet kohë që të më hetojnë, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë, e as më kanë thirrur kurrë”, u shpreh Shehu për ABC News. Ai paralajmëroi se do të depozitojë një kallëzim penal ndaj policisë dhe prokurorisë.

Në njoftimin e sotëm, Policia e shtetit bëri të ditur se i ka sekuestruar 1.5 milionë euro pasuri një ish-zyrtari të Agjencisë se Legalizimit të pronave, pas dyshimeve se i kishte përfituar në mënyrë të paligjshme. Sipas policisë, i arrestuari akuzohet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

“Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, ish-zyrtari ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 mijë Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat”, thotë policia në njoftim.